Vuçiq: Për Kosovën duhet zgjidhje e përhershme

Vuçiq iu drejtua të enjten Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Marketing

“Kemi filluar të luftojmë për një zgjidhje të përhershme dhe presim që bota t’i kuptojë qëndrimet dhe argumentet tona dhe të mos e mbështesë palën e kundërt, siç ka bërë nga viti 1999 deri më 2008”, tha Vuçiq.

Ai tha se arritja e marrëveshjes me Kosovën, për normalizimin e marrëdhënieve, është e rëndësishme për stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Vuçiq tha se Serbia ka biseduar me Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkundër “tensioneve dhe incidenteve të shpeshta në Kosovë dhe veprimeve të njëanshme të Prishtinës”.

Vuçiq tha se taksa që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë, në nëntor të vitit të kalaur, ka bërë që Serbia të humbë 350 milionë euro.

“Tarifa që vazhdon të jetë në fuqi, ka vënë në rrezik edhe jetën normale dhe të dinjitetshme të serbëve në Kosovë”, tha Vuçiq.

“Në gjithë këtë kohë, Serbia ka reaguar në mënyrë të moderuar dhe me përgjegjësi ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës, duke mos vendosur kundërmasa dhe duke bërë përpjekje të qetësojë situatën”, tha Vuçiq.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi pritet të emërohet pas 7 tetorit
Autoritetet e Kosovës, përkundër thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për heqjen e taksës, nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili e ka marrë vendimin për taksën, e ka kushtëzuar heqjen e saj me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Vuçiq, në disa raste, ka përsëritur se nuk mund të ketë dialog pa heqjen e taksës.

Marketing