Vuhani “kryen me sukses” testimin e popullsisë për koronavirus

Autoritetet në qytetin Vuhan të Kinës – ku koronavirusi është zbuluar për herë të parë – thanë se programi dyjavor i testimit të të gjithë popullsisë “ka qenë i suksesshëm”.

Marketing

Komisioni i Shëndetit i provincës Hubei tha se në periudhën 14 maj – 1 qershor ka testuar 9.89 milionë njerëz.

Popullsia e Vuhanit llogaritet të jetë rreth 11 milionë banorë.

Gazeta Zyrtare “Daily People” raportoi se rreth 300 njerëz – afërsisht 0.003% e totalit – kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, porse ata nuk kanë shfaqur simptoma.

Autoritetet raportohet se kanë shpenzuar rreth 126 milionë dollarë në teste.

Vuhani ka qenë epiqendra origjinale e shpërthimit të koronavirusit, me më shumë se 50,000 raste të konfirmuara.

Qytetarët e tij kanë kaluar 76 ditë në izolim gjatë kulmit të shpërthimit.

Sot, në gjithë botën numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 6.3 milionë. Prej tyre, mbi 2.7 milionë janë shëruar dhe mbi 376,000 kanë vdekur.