Me shportë në duar dhe listë për produktet e nevojshme, ekipet mobile të Kryqit të kuq në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit kryejnë blerje nëpër markete dhe me këtë u ndihmojnë të moshuarve dhe personave të pamundshëm, grupeve të rrezikuara, si dhe personave që janë në izolim. Në terren janë nga ora 8 e 30 minuta e mëngjesit e deri në orën 12 30.
Përveç produkteve ushqimore, ata u blejnë edhe barëra dhe të njëjtat ua dërgojnë nëpër shtëpi. Më pas u paguajnë fatura, nëse është e nevojshme i dërgojnë në mjek, tha sekretarja e Kryqit të kuq, Suzana Tuneva Paunovska. E pyetëm si duket vizita e personave që janë në izolim dhe sa janë të mbrojtur vullnetarët.
“Ne paraqitemi në telefon para se të arrijmë në shtëpinë e tyre. Ata na e lënë porosinë në qese para derës dhe paratë. Më pas ekipi, që janë të mbrojtur me doreza dhe maska, e marrin dhe e vendosin në qese tjetër. Shkojnë në treg dhe para se të arrijnë te shtëpitë përsëri u lajmërohen dhe ua lëmë qeset para dere, i bien ziles, d.m.th. nuk kemi kontakt me ata persona”, theksoi Paunovska.
Në ditë ka rreth 70 thirrje, në Shkup funksionojnë 11 ekipe, ndërsa në qytetet tjera nga 1-3 ekipe. U ndihmojnë edhe personave të pastrehë, ndërsa për kontroll ua matin edhe temperaturën që të shohin nëse janë të infektuar.
“Kemi ekip mobil i cili i viziton personat e pastrehë, për shkak se të gjithë ata që janë në bazën tonë të të dhënave, 185 persona, e dimë saktë se ku ndodhen, u japim mjete higjienike shtesë, dezinfektim, maska dhe doreza dhe këshilla si duhet të sillen”, deklaroi Paunovska.
Nga Kryqi i kuq thonë se për momentin kanë 60 vullnetarë, ndërsa kanë edhe ekipe kujdestare që kanë leje për lëvizje gjatë orës policore, për raste urgjente.