VV-JA E KURTIT NË MAQEDONI: qar apo zarar?!

Tashmë blloku opozitar shqiptar, gjegjësisht Lidhja Europiane për Ndryshim (LEN), ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, që pritet të mbahen në pranverë, në listat për deputetë do të përfshihen edhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët operojnë në Maqedoninë e Veriut. Një prej tyre pritet të jetë edhe këshilltari i kryeministrit të Kosovës për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku. Ai, gjatë hapjes së zyrës së përbashkët të koalicionit LEN në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ka pasur një paraqitje të përbashkët publike me liderët e LEN-it. Ndërkohë, një përfaqësues tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, në një medium televiziv në RMV, gjithashtu ka theksuar mundësinë e përfshirjes së VV-së, në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoninë e Veriut. Ai ka shtuar se ka “aktivistë që qarkullojnë këtu, dhe nëse ata vendosin, kanë lirinë e plotë për të krijuar Lëvizjen Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut dhe madje kanë lirinë e plotë për të mbajtur një qëndrim për zgjedhjet që po vijnë“.

Marketing

Shkruan: Enis Shaqiri

Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, pritet të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Europiane për Ndryshim (LEN). Kjo u bë e ditur më 24 dhjetor gjatë një ceremonie të hapjes së zyrave të opozitës në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Analistët politik, për KDP.MK, kanë interpretime të ndryshme përsa i përket përfshirjes së Lëvizjes Vetvendosje në trupin zgjedhor, në Maqedoninë e Veriut. Argumentet pro dhe kontra kësaj iniciative, tashmë janë të pranishme në opinion.

Matoshi: Interferimi i VV-së, në trupin zgjedhor në RMV, kopja më e keqe e tendencave të ndikimit serb në rajon

Halil Matoshi, shkrimtar dhe publicist, vlerëson se interferimi i partisë së Albin Kurtit, së pari në trupin zgjedhor të Shqipërisë e tashti edhe në atë të Maqedonisë së Veriut, është kopja më e keqe e tendencave të ndikimit serb në rajon:

“Fantazma e nacionalizmave romantik të fundshekullit XIX dhe tërë shekullit XX po sillet sërish në qiellin mbi Ballkan. Përderisa partia e çetnikëve dhe e radikalëve serbë, e veshun me petkun e Srpska Napredna Stranka (SNS) ka shtri ndikimin e saj në Republika Srpska, përmes partisë së Dodik-ut, po ashtu, SNS e kamufluar si Savez Nezavisnih Socialdemokrata, në Kosovë skenën politike e dominon Partia e krijuar nga Aleksandar Vuçiq, me emërtimin Srpska Lista (SL). Së këndejmi, interferimi i partisë së Albin Kurtit, së pari në trupin zgjedhor të Shqipërisë e tashti edhe në atë të Maqedonisë së Veriut, është kopja më e keqe e tendencave të ndikimit serbian në rajon, pra të një bote fantazmogorike serbe në Ballkan”, – thotë Matoshi.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, jo vetëm që nuk do t’u ndihmojë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por siç thotë, do të sjellë vetëm ndarje dhe “injektim me helm nacionalist“. Ai shton se Kurti, me idenë për t’ia marrë “bajrakun” Edi Ramës, si një “Babë i kombit”, po shndërrohet në një “baba abuziv dhe konfliktual“.

“Asgjë nuk do t’u ndihmojë partia e Kurtit shqiptarëve në shtetin fqinj, pos përçarjes sikur në Preshevë. Politikat grindavece të VV-së ndaj fqinjve, si taktikë e Kurtit për frikësimin e tyre me një kuazi-bashkim të shqiptarëve, nuk ua ndreqin asnjë punë qytetarëve shqiptarë, pos që u injektojnë më shumë helm nacionalist dhe më pak respekt për fqinjtë e tyre. Kurti si integrist nacionalist, po do t’ia marrë “bajrakun” Edi Ramës, si një “Babë i kombit” – por po shndërrohet në një ‘babë’ abuziv dhe konfliktual. Besoj se edhe në Maqedoni të Veriut, partia e Kurtit do të pësojë debakël si në Shqipëri (pos në Shkup ku Kurti ka koxha mbështetje dhe më pak në Tetovë) duke marrë leksionin e duhur për t’i këqyrë punët e veta, pra të Kosovës. Tendenca e destabilizimit të Maqedonisë së Veriut, edhe kur kamuflohet si interes shqiptar, por edhe si interes bullgar, është levë e ndikimit rus në rajon”, deklaron Matoshi, duke shtuar se në këtë kontekst, duhet shikuar edhe “kinse interesimin e Presidentes kosovare Vjosa Osmani për njëfarë kauze bullgare në Kosovë(!?)”, por kjo thjesht është kauzë “fake”!?”, – deklaron Matoshi.

Pajaziti: Kurti, një nga politikanët me besimin më të madh

Nga ana tjetër, gazetari Naser Pajaziti thotë se në Maqedoninë e Veriut, është e padiskutueshme hija e Albin Kurtit dhe adhurimi i tij si një nga politikanët me besimin më të madh, duke tejkaluar edhe politikanët vendorë.

“Nuk mund të injorohet ndikimi i tij që mund të jetë në zgjedhjet e ardhshme, duke pasur parasysh se tashmë veçse po bëhen përpjekje në drejtim të shtrirjes së ndikimit të tij edhe praktikë. Albin Kurti tashmë po shihet qartë se në planin e dytë po zhvillon një betejë për të mposhtur frymën dhe linjat e krijuara ndërpolitike shqiptare që kanë trashur pushtetin dhe ndikimet e tyre si andej dhe këtej kufirit”, – thotë Pajaziti.

Megjithatë, ai shton se zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare nuk do të jenë të lehta pasi, siç thotë, duhet marrë parasysh edhe trupin votues klientelist të BDI-së, që vështirë të ndryshojë anën, apo të votojë diçka ndryshe.

“Po ashtu, gjithçka do të varet edhe se si do të pozicionohet ASH, si një faktor relevant, që vijon të mbetet unike, në kuadër të skenës së copëzuar politike.
Dua të shtoj faktin se VV nuk është se për herë të parë po përfshihet në zgjedhje në Maqedoni, sepse ajo indirekt ishte kyçur edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale, duke përkrahur Blerim Rekën, si kandidat të opozitës shqiptare të asaj kohe. Pra, atëkohë kishte një impakt deri-diku, pasi që si opozitë arritën të arkëtojnë një arsenal goxha relevant të votave”, – përfundon Pajaziti.

Vllasi: Kurti po e përçanë korpusin politik të shqiptarëve në RMV

Kurse Azem Vllasi, avokat dhe ish-politikan i njohur, i krahason veprimet në Maqedoni të kryeministrit të Kosovës, dhe lider i Vetëvendosjes, me ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq:

“Albin Kurti po e përçanë korpusin politik dhe etnik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo që po bën ai dhe Vetëvendosje është në kundërshtim me interesat vitale të tyre. Kjo i dëmton edhe raportet mes dy shteteve tona. Vetëm të bashkuar Shqiptarët mund të pozicionohen mirë si partnerë të koalicionit me bllokun maqedonas që del nga zgjedhjet parlamentare. Formula e tanishme e partneritetit në qeverisje në Maqedoninë e Veriut është më e mira e mundshme. Kjo vlen edhe për raportet e fqinjësisë së mirë mes Maqedonisë e Kosovës. Jam thellësisht i bindur se shqiptarët kanë nevojë për liderë të cilët angazhohen për marrëdhënie të mira mes shteteve ku jetojnë e jo për të ashtuquajtur liderë gjithëkombëtar”, – thotë Vllasi.

Hoxha: Strategjia e Kurtit, lëvizje jo e duhur

Për analistin politik, Dibran Hoxha nga Prishtina, përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike të Maqedonisë e Veriut është e ngjajshme me tentativën që VV-ja dikur bëri për t’u inkuadruar edhe në politikën e Shqipërisë. Sipas tij, organizimet dhe paraqitjet e tilla, për t`i shërbyer vetëm imazhit të Albin Kurtit, nuk duken si lëvizje të duhura strategjike.

“Do të thoja se përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut është pak a shumë e ngjajshme me atë lloj tentative që VV-ja ka bërë për të inkuadruar veten në skenën politike në Shqipëri,ndonëse, atje nuk pati sukses, tani po e teston terrenin për të krijuar një krah të ri politik që ndoshta, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, do të bashkonte shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo, natyrisht, nuk mund të krahasohet, për shembull, me përfshirjen e Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje në një formë ose tjetër në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, sepse atje megjithatë ka pasuar një lloj tendence për unifikim, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, gjithë ajo paraqitje, gjithë ai lloj organizimi për t’i shërbyer vetë figurës së Albin Kurtit, nuk na është dukur as neve, shumicës së opinionistëve, lëvizje strategjike, apo e duhur, në aspektin politik të fjalës”, – deklaron Hoxha.

Xhezairi: Një karshillëk që në fund mund të prodhojë më shumë zarar sesa qar!

Ndërsa për gazetarin, Seladin Xhezairi, nuk ka asgjë të keqe pse Vetëvendosje ka filluar tashmë ndarjen e teserave të filialit të saj në Maqedoninë e Veriut, por:

“Emrat që po lakohen sikur që në start e zvetënojnë këtë ndërmarrje. Jo për diçka tjetër, por vetëm për faktin se të njëjtët deri tash kanë defiluar nëpër parti të ndryshme, këtu në Maqedoni, dhe njihen si ‘paraja e kuqe’, që nuk mund të thuhet për bërthamën që e ngriti VV-në në Kosovë. Kjo një, së dyti, në kontekstin e zhvillimeve rajonale, politikisht e besa edhe kombëtarisht nuk më duket e shëndetshme që, krahas dhjetë partive, të formohet edhe e njëmbëdhjeta, thuaja se shqiptarët këtu janë kushedi sa, në numër! Duke marrë parasysh se z. Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje ka kritikuar, me të drejtë, përzierjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë, në kuptimin e krijimit dhe dirigjimit nga Beogradi të Listës Serbe, të bësh të njëjtën gjë – në Maqedoni, kësaj i thonë një karshillëk që në fund mund të prodhojë më shumë zarar sesa qar! Sidoqoftë, zgjedhjet janë afër, ndaj të presim e të shohim!” – përfundon Xhezairi.

Mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokun opozitar në Maqedoninë e Veriut u konfirmua nga Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Ai tha të dielën se VV-ja do të do jetë partia e katërt e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut.

“Unë jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për ta sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes këtij regjimi që është në Maqedoninë e Veriut. Vetëvendosja, natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, – deklaroi Qoku.

Qoku, në legjislaturën parlamentare të viteve 2011-2014, ishte deputet i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), ndërsa më pas kaloi në radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH).

Kujtojmë se VV-ja nuk është e regjistruar zyrtarisht si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, megjithatë bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare si Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, dhe Alternativa, pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.

Sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në procesin zgjedhor, mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Në të njëjtën kohë, lejohet që lista zgjedhore të përfshijë emrin e një koalicioni, siç është rasti i Lidhjes Europiane për Ndryshim (LEN), por në brendi, është e detyrueshme të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin./KDP/