WhatsApp prezanton opsione të reja për zhdukje të mesazheve

WhatsApp vitin e kaluar ka prezantuar mesazhet që zhduken pas një kohe. Por, ajo ishte e përcaktuar në vetëm 7 ditë dhe nuk kishte zgjedhje të tjera. Kjo veçori, jo shumë kohë më parë, u përmirësua më tej me opsionin për zhdukjen e fotove dhe videove menjëherë pas shikimit të parë të tyre. Këto ditë, WhatsApp njoftoi për një grup të ri opsionesh kontrolli për ata që përdorin mesazhe që zhduken.

Marketing

Duke filluar nga kjo javë, përdoruesit e iOS dhe Android do të jenë në gjendje të kontrollojnë mesazhet e tyre dhe se sa kohë do të qëndrojnë ato të dukshme falë dy veçorive të reja: mesazhet e paracaktuara që zhduken dhe kohëzgjatjet e ndryshme.

Opsionet e reja do t’u lejojnë të aktivizoni zhdukjen e mesazheve për të gjitha bisedat, që do të thotë se asnjë bisedë nuk do të qëndrojë në telefonin tuaj më gjatë se që ka nevojë.

Përdoruesit mund të zgjedhin gjithashtu disa opsionesh për atë se sa kohë duhet të qëndrojnë mesazhet në celularët e tyre. Më parë, ato ishin të kufizuara në 7 ditë – por tani mund të vendosni fshirjen e tyre pas 24 orëve, 7 apo ose 90 ditë, pas së cilës bisedat do të shkatërrohen.

Drejtuesit e WhatsApp më herët kanë thënë se qëllimi është që të gjitha mesazhet të fshihen vetvetiu si parazgjedhje, në përputhje me synimin e rritjes së sigurisë së bisedave ashtu që ato të mos spiunohen.

Ndryshimi u bë për t’u dhënë njerëzve “lirinë për të qenë të sinqertë dhe të cenueshëm, duke e ditur se biseda nuk do të regjistrohet dhe nuk do të ruhet diku përgjithmonë”, thuhet në një postim në blog nga kjo kompani. Parazgjedhja aktuale e ruajtjes së bisedave përgjithmonë është “ekuivalenti i një mbajtësi shënimesh që na ndjek nga pas duke bërë një regjistrim të përhershëm të gjithçka që kemi thënë”, thuhet aty.

Nëse zgjidhet opsioni për të pasur si parazgjedhje zhdukjen e mesazheve, atëherë të gjitha bisedat e reja individuale – qofshin të krijuara nga ju ose një person tjetër – do të zhduken pasi të ketë kaluar koha e zgjedhur. Kjo gjithashtu vlen edhe për bisedat në grup.

Nëse filloni një bisedë me dikë që e ka këtë funksion të aktivizuar si parazgjedhje, do t’u shfaqet një mesazh që tregon atë që ai ka zgjedhur.

Çdo bisedë e veçantë mund të bëhet e përhershme nëse kërkohet dhe cilësimet e reja nuk do të bëjnë ndryshime në asnjë nga bisedat e mëparshme.

“Ne besojmë se mesazhet e zhdukura së bashku me enkriptimin nga skaji në skaj, janë dy veçori thelbësore që përcaktojnë se çfarë do të thotë sot të ofrosh një shërbim të mesazheve private dhe na sjellin një hap më afër ndjenjës së një bisede personale”, tha WhatsApp.

Secili përdorues mund të aktivizojë mesazhet që zhduken në një bisedë individuale. Pas aktivizimit të këtij opsioni, mesazhet e reja në atë bisedë do të zhduken pas kohëzgjatjes që keni zgjedhur.

Hapni një bisedë në WhatsApp.
Prekni emrin e kontaktit.
Prekni Mesazhet që zhduken.
Nëse kërkohet, prekni VAZHDO.
Zgjidhni 24 orë, 7 ditë ose 90 ditë.
Për të parë edhe opsionet e tjera të këtij versioni të WhatsApp dhe se si të konfigurohen ato, shikoni videon në kanalin tonë në YouTube apo në gjirafaVideo.

Secili përdorues, në të njëjtën mënyrë mund të çaktivizojë mesazhet që zhduken në çdo kohë. Pasi të çaktivizohet opsioni, mesazhet e reja të dërguara në bisedë nuk do të zhduken më.

 

Marketing