Xhaferi: Formimi i KSHZ-së nuk mund ta vë në pikëpyetje referendumin

Zgjidhja për KSHZ-në është vendim i partive politike, të dalin nga ato kushte që i parashtrojnë lidhur me obligimet që i kanë ndërmarrë, deklaroi sot kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
“Ky është obligim i partive politike pas asaj procedure që është paraparë në Kuvend, ta inicioni. Nuk kam nevojë të pres askënd.

Marketing

Nuk është problemi im çka kërkon VMRO-DPMNE-ja. Kuvendi ka procedurë adekuate. Partitë janë obliguar për ta kthyer metodën e përzgjedhjes së KSHZ-së. Duke e pasur parasysh se në mënyrë konsensuale e sollën ligjin, mendoj se do të duhet të sillen në frymën e ligjit të cilin e sollën vetë. Për kërkesat dhe nevojat tjera kanë mundësi çdoherë të bisedojnë mes vete dhe kur do të kenë marrëveshje për punët e tilla nuk është pengesë që Kuvendi t’i realizojë edhe ato marrëveshje ndërpartiake”, theksoi Xhaferi.

Ai konfirmoi se i posedon të gjitha mekanizmat për të caktuar seancë, por se puna do të jetë e padobishme, sepse sipas marrëveshjes së partive, ka ndryshuar kodi zgjedhor dhe është vendosur praktikë që përbërja e KSHZ-së të votohet me shumicë prej dy të tretave.

“Kam mekanizma për të ardhur deri tek votimi, por çka nëse ajo që është votuar më pas nuk respektohet. Prandaj obligim i partive politike është që ta zbatojnë atë që e kanë kërkuar”, tha Xhaferi.
Për atë nëse mund të vijë në pikëpyetje referendumi, Xhaferi u përgjigj negativisht.

“Referendumi nuk mund të vijë në pikëpyetje, sepse referendumi do të mbahet në kuadër të afatit prej maksimum 90 ditë, gjegjësisht minimum 60 ditë nga momenti kur do të sillet vendimi për referendum”, ishte i drejtpërdrejtë Xhaferi.

Lidhur me dekretin për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë për emrin, të cilin presidenti Gjorge Ivanov nuk e nënshkroi, kryetari i Kuvendit tha se ka për qëllim ta dërgojë deri tek “Gazeta zyrtare“, por nuk tha se kur do ta bëjë këtë.

Marketing