Xhaferi: Integrimi i vendit në BE ka ndikim pozitiv në rajon

Diplomacia parlamentare zë vend të rëndësishëm në procesin eurointegrues të shteteve aspirante, ka thënë kryeparlamentari Xhaferi në konferencën e 16 të kryetarëve të parlamenteve të nismës adriatiko – joniane.

Marketing

Nga Budva Xhaferi kujtoi se procesi integrues i Maqedonisë së Veriut në BE gjithsesi ka ndikim pozitiv edhe për të gjithë rajonin.

“Gjithsesi se për stabilitetin në rajon dhe për integrimin e tij evropian përgjegjësia është e çdo shteti individualisht. Republika e Maqedonisë së Veriut, me Marrëveshjen e Prespës e tejkaloi kontestin shumëdekadash me Greqinë fqinje, me çka u debllokua rruga jonë kah integrimet euroatlantike, por në të njëjtën kohë ka impakt shumë pozitiv edhe mbi gjithë rajonin, por edhe më gjerë”,- tha Xhaferi.

Në një realitet të proceseve eurointegruese të vendeve ballkanike, Xhaferi ka shfaqur nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit nëpërmjet trupave parlamentare, jo vetëm në kulturë dhe turizëm, por edhe në fushën e sigurisë, sepse siç ka thënë Xhaferi, çështja e sigurisë përveç që është politikë nacionale, ka edhe dimension të rëndësishëm rajonal.

“Trupat parlamentarë më së shpeshti debatojnë për çështje konkrete, siç ishte shembulli me turizmin dhe kulturën, që ishin temë e diskutimi të sesionit të parë. Por, nuk përfundon këtu lista e çështjeve me prioritet dhe temave për bashkëpunim. Do të vazhdoj me çështjet në lidhje me sigurinë, sidomos nëse e kemi parasysh krizën refugjate”,- tha më tej Xhaferi.

Komisioni Evropian në muajin qershor 2014 prezantoi strategji evropiane dedikuar për zhvillimin e rajonit Adriatik-Jon. Anëtare të kësaj strategjie janë katër vende anëtare të BE-së dhe vendet aspirante për integrim. Nikoqire e takimit të iniciativës kësaj radhe ishte Mali i Zi. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)