Xhaferi: Marrëdhëniet me Turqinë zhvillohen në frymën miqësisë historike e tradicionale

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili priti në takim në Shkup homologun e tij nga Turqia, Mustafa Şentop, ka deklaruar se Turqia është një vend me të cilat marrëdhëniet zhvillohen në frymën e miqësisë historike tradicionale dhe se takimi midis dy kryeparlamentarëve është një pasurim plotësues i këtyre marrëdhënieve, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Şentop qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke që e shënon komuniteti turk në vend. Ai realizoi takim dypalësh me kryeparlamentarin Xhaferi, ndërsa më pas u zhvillua një takim i përbashkët midis delegacionit mysafir dhe Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Kuvendin e Madh të Turqisë.

Në konferencën e përbashkët për media, Turqinë kryeparlamentari Xhaferi e konsideroi si një vend me të cilat marrëdhëniet zhvillohen në “frymën e miqësisë historike e tradicionale, mirëkuptimit të ndërsjellë, partneritetit dhe bashkëpunimit aktiv në fushat e shumta me interes të ndërsjelltë”.

“Në këtë kontekst, takimi është një pasurim plotësues i bashkëpunimit të rëndësishëm parlamentar, në rolin e diplomacisë parlamentare, e cila për mua ka rëndësi të jashtëzakonshme”, tha Xhaferi.

Xhaferi njoftoi se në takim ka shprehur mirënjohje ndaj Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e vendit të tij në NATO. Ai shtoi se pjesëtarët e armatës së vendit të tij janë pjesë e kontigjentit turk në misionin e NATO-s ‘Mbështetja e vendosur’ në Afganistan dhe se së bashku do t’i përkushtohen promovimit dhe ndarjes së vlerave dhe përgjegjësive atje.

Ai po ashtu i uroi turqit e Maqedonisë së Veriut me rastin e shënimit të festës së tyre të arsimit në gjuhën e tyre amtare, duke theksuar se miqësia midis dy vendeve “historikisht dhe me kulturë është e ndërlidhur me anë të urës së fuqishme që e përbëjnë qytetarët e bashkësisë turke në Maqedoninë e Veriut dhe qytetarëve që kanë emigruar nga vendi dhe janë etabluar në Turqi dhe ata janë hallkë e rëndësishme e ndërlidhjes”.

Şentop: Maqedonia e Veriut është një vend me qytetarë që kanë pjekuri demokratike

Nga ana tjetër, Şentop theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë në një nivel shumë të mirë dhe theksoi se Turqia ishte vendi i parë që e ka njohur vendin me emrin e tij në kohën e shpalljes së pavarësisë. Ai po ashtu tha se në nivel shumë të mirë vazhdojnë edhe lidhjet politike dhe ato ekonomike.

“Potenciali ynë është shumë më i madh dhe autoritetet e të dy vendeve kanë qëllim të mirë, vendosmëri dhe përpjekje për t’i rritur tutje ato”, tha Şentop.

Ai tha se diplomacia dhe marrëdhëniet parlamentare do t’i forcojnë dhe diversifikojnë marrëdhëniet midis dy vendeve, duke shtuar më tej se vizitat e nivelit të lartë do t’ua hapin rrugën përpjekjeve për forcimin e raporteve.

Ai theksoi se Turqia ka mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në platformat ndërkombëtare, veçanërisht në ato evropiane dhe veri-atlantike, në aspektin e anëtarësimit dhe integrimit të saj.

“Ne e kaluam shumë shpejt në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë Protokollin e nënshkruar për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Mbase ishte marrëveshja ndërkombëtare që është ratifikuar më së shpejti ndonjëherë në kuvend. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO tani është në fazat përfundimtare dhe besoj se do të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë besoj edhe procesi lidhur me Bashkimin Evropian do të vazhdojë në mënyrë pozitive edhe pse ndonjëherë ka pengesa. Maqedonia e Veriut është një vend me qytetarë me prejardhje të ndryshme kulturore etnike që kanë pjekuri demokratike. Shumë prej qytetarëve tanë me prejardhje etnike të ndryshme që jetojnë në Turqi kanë të afërm këtu, kanë lidhje këtu. Kjo afërsi midis qytetarëve tanë shërben gjithashtu si një urë në zhvillimin e marrëdhënieve tona”, tha Şentop.

Şentop tha se me homologun Xhaferi kishin mundësinë për t’i vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe marrëdhëniet e tyre në kuadër të platformave rajonale dhe ndërkombëtare në një mënyrë të gjerë, dhe se kanë shprehur vendosmërinë e tyre për t’i çuar raportet midis dy vendeve në nivel më të lartë.

Sipas tij, marrëdhëniet Turqi-Maqedoni e Veriut nuk janë vetëm marrëdhënie midis dy vendeve, por se ato “kanë vlerë të madhe edhe në aspektin e stabilitetit në Ballkan, i cili është rajon i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen e Evropës”.

Şentop po ashtu uroi vendin për zgjedhjet që do të mbahen më 12 prill të vitit të ardshëm.

“Që tani, uroj që zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020 të jenë në të mirë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, u shpreh kryeparlamentari i Turqisë, Mustafa Şentop.

Şentop dhe Xhaferi së bashku do të marrin pjesë në simpoziumin e titulluar “Vlerat e humbura të kulturës turke në Ballkan dhe Evropën Lindore”, ku dhe do adresohen me fjalim. Pasdite, Şentop po ashtu do të marrë pjesë në manifestimin qendror për shënimin e 21 Dhjetori, që do të mbahet në Shkup.

Marketing