Kreu i parlamentit Talat Xhaferi, në prag të fillimit të fushatës së kuvendit për referendumin e 30 shtatorit, pranon se ka vështirësi në komunikimin me grupin parlamentar të VMRO-së.
Komunikimi i fundit me ta, ka qenë letra e tij, drejtuar të gjitha grupeve parlamentare të cilët kanë pasur si obligim t’i përgjigjen e të tregojnë se çfarë fushate do të bëjnë.
Për Xhaferin, me vetë faktin se VMRO-DPMNE nuk ka pranuar të jetë pjesë e fushatës “pro” referendumit, tregon se është kundër.
“Grupet Parlamentare janë deklaruar, 71 prej tyre për fushatën PRO, ndërsa nga koordinatori i grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së më kanë informuar me shkrim se ata parapëlqejnë dedikimin e këtyre mjeteve në çështje tjera, dhe kjo për ne si trup koordinues, dhe si Parlament nënkupton se grupi parlamentarë i VMRO-së është kundër”, u shpreh kryetari i kuvendit Talat Xhaferi.
Sipas tij, Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshovski, do të mund të shfrytëzojë mjetet për fushatë për “bojkot”, ashtu siç ka kërkuar paraprakisht, por vetëm në rast se deklarohet si deputet individual dhe jo si pjesë e grupit parlamentar të VMRO-së, të cilët janë shprehur të qartë se duan që mjetet që u takojnë për fushatën e referendumit, të ridestinohen .
Xhaferi ndërkohë, fton qytetarët që të informohen në mënyrë të drejtë se çfarë nënkupton pranimi i marrëveshjes me Greqinë dhe anëtarësimi në BE dhe NATO.
Xhaferi pohon se Kuvendi si bartës si kësaj fushate, do të udhëheqë kampanjë jo-diskriminuese dhe se vetë pyetja e referendumit, në vete përmban përcaktimin strategjik për të cilën angazhohet çdo qytetar.
“Vetë pyetja: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe në BE me pranimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, në vete përmban përcaktimin strategjik për të cilën angazhohet çdo përfaqësues i qytetarëve që nga pavarësia e vendit e deri më sot”.
Institucionet shtetërore kanë obligim dhe përgjegjësi t’i mundësojnë çdo qytetari që me 30 shtator ta marrë vendimin i mirë informuar, ndërsa përgjegjësi e qytetarëve është që përmes votës së vetë ta shprehin vullnetin e tyre”, theksoi Xhaferi.
Fushata informuese do të realizohet në bazë të koordinimeve në bashkëpunim me shefat e fushatës të caktuar nga çdo subjekt politik, të njëjtat dërgohen deri tek Trupi Koordinues material, ku më pas do të vendoset se cili material do të paraqitet në mediat.
Xhaferi sqaroi se Qeveria mund të përfshihet në këtë fushatë, por me mjete të tyre, dhe jo nga mjetet të cilat janë dedikuar për Kuvendin, ndërsa Parlamenti në këtë periudhë, do të mbajë seancë, vetëm të raste urgjente.