Xhaferi: Ndryshime kushtetuese, jo zgjedhje!

Kuvendi po mbyll punimet për këtë vit pa miratuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për vazhdimin e procesit negocues për anëtarësim në BE, por edhe pa një konsensus politik që kjo të ndodh menjëherë pas festave të fundvitit. Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi thotë se ai është i gatshëm që të vë në procedurë parlamentare ndryshimet kushtetuese sapo të arrihet një marrëveshje politike dhe një nismë të tillë. Theksoi se aktualisht, kryeministri dhe palët e tjera kanë deklaruar publikisht se nuk ka shumicë adekuate dhe se po zhvillohen diskutime me të gjithë.

Marketing

“Në momentin kur ata do të konsiderojnë se i kanë kushtet për të nisur një iniciativë të tillë, unë jam i gatshëm si kryetar i Komisionit dhe i Kuvendit të veproj sipas procedurës.”,- theksoi Xhaferi.

Gjithsesi kreu i Kuvendit gjykon se ndryshimet kushtetuese janë me rëndësi të posaçme për vendin dhe se subjektet plotike duhet të orientohen drejt arritjes së konsensusit politik dhe jo drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nga këndvështrimi im, interesi i procesit është që të bëjmë ndryshimet, të hapim rrugën dhe të punojmë brenda një afati të caktuar kohor për të përmbushur sa më shpejt atë që duhet të përmbushim për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së. Të gjithë i dimë perceptimet para dhe pas anëtarësimit në NATO, në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike. Në atë kontekst duhet t’i kemi parasysh që atë proces ta përfundojmë sa më shpejt për të gjithë ne, shtetin dhe qytetarët.”,- theksoi Xhaferi në takimin e fundit me gazetarë.

Seancën e parë për vitin tjetër e paralajmëroi për më 10 janar, ndërsa një ditë më parë do të mbahet takimi i rregullt i Xhaferit me koordinatorët e grupeve parlamentare.