Xhaferi: Ndryshimet kushtetuese votohen më 15 janar

Sipas rrjedhës së deritanishme të procedurave parlamentare, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka paralajmëruar që më 15 janar të vitit të ardhshëm do të përfundojë edhe procedura e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Pas përfundimit të dy debateve të sotme publike në Shtip dhe Tetovë, Qeveria ka dy ditë afat që të përgatisë konkluzat e dala nga këto diskutime dhe propozim tekstin e amendementeve kushtetuese dhe brenda këtij afati të njëjtat t’i dorëzojë në Kuvend.

Marketing

Seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese pritet të mbahet të hënën e ardhshme ku do të diskutohen dhe votohen të katër amendamentet një nga një. Seanca plenare në lexim të tretë pritet të caktohet për më 9 janar dhe të përfundojë më 15 janar.

“Në periudhën nga nesër e tutje, përafërsisht për 17 dhjetor parashihet konvokimi I seancës së komisionit kushtetues në të cilën do të bëhet shqyrtimi I tekstit të amendamenteve të mundshme në tekstin e amendamenteve si fazë përfundimtare në komisionin kushtetues dhe me këtë diku deri më 15 janar të përmbyllet miratimi i amendamenteve kushtetuese dhe me këtë të përmbullet implementimi i domosdoshëm i përcaktimeve të Marrëveshjes së Prespës”, deklaroi Xhaferi.

Pasi të përfundojë miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, Xhaferi tha se se menjëherë pritet që në Athinë të fillojë procedura për miratimin e Marrëveshjes së Prespës dhe protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Xhaferi tha se nuk pret pengesa në fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese, por bëri thirrje që institucionet të jenë të kujdesshme për të mos nxitur reagime të panevojshme.

Marketing