Xhaferi në Konferencën e organizuar në koordinim me Stejt Departamentin Amerikan në temën “Religjioni si instrument i paqes”

E hënë, 18 nëntor 2019 Tiranë, Republika e Shqipërisë

Marketing

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konferencën e organizuar në koordinim me Stejt Departamentin Amerikan në temën “Religjioni si instrument i paqes”

“I nderuar President i Republikës së Shqipërisë Meta,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Ruçi,
Të nderuar përfaqësues të shteteve fqinje,
I nderuar ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë,
Të nderuar liderë fetarë,
Zonja dhe zotëri,

Nuk kaloi shumë kohë prej herës së fundit kur isha këtu, gjegjësisht në Samitin e Federatës Universale për Paqe, ku kisha nderin që të drejtohem në emrin tim personal, dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në temën “Paqja, siguria dhe zhvillimi njerëzor në Evropën Juglindore”, që edhe si është e ndërlidhur me temën e Konferencës së sotme, respektivisht, “Religjioni si instrument i paqes”.

Është fjala e përbashkët, natyrisht – paqja, ajo që është vlerë thelbësore, e drejtë universale dhe e domosdoshme për gjithë njerëzimin, pa dallim feje, përkatësie etnike, race, gjinie, kulture, shtrese sociale, ekonomike dhe çfarëdo kategorizimi tjetër.

Mbi të gjitha dhe absolute është përkatësia në grupin e njerëzimit, dhe të drejtat dhe liritë universale të njeriut të cilat duhet të mundësohen dhe të praktikohen njëlloj për të gjithë dhe nga gjithë. Sepse, privimi i ndonjë të drejte apo lirie, natyrisht se sjell deri në pakënaqësi, dhe kjo është shprehja më e moderuar, por nëse e njëjta vazhdon dhe zgjerohet, me përfshirjen e grupit gjithnjë më të madh të pakënaqurve, atëherë kjo do të reflektojë me konflikte me përmasa të gjera, me ndjenjë diskriminimi dhe nënçmimi dhe atëherë natyrisht se do të shndërrohet në rezistencë të bashkuar, ndaj autoriteteve qeveritare, ndaj grupeve tjera religjioze, ndaj bashkësive etnike lidhur me përkatësinë e tyre fetare dhe ndaj secilit i cili paraqet rrezik me mosrespektimin e të drejtës për praktikimin e fesë së caktuar.

Por, duhet të kemi një gjë të qartë dhe këtu duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Praktimi i një feje, kurrë nuk guxon të jetë në dëm të një feje tjetër, kurrë nuk guxon të jetë me diskriminimin e një feje tjetër. Natyrisht se edhe liria e fesë u nënshtrohet rregullave të përgjithshme të cilat vlejnë për të gjithë qytetarët dhe gjithmonë duhet të jenë në vijë të njëjtë me kushtetutën, ligjet aktuale dhe në esencë, nëse e analizojmë thellë, në vijë me të drejtat dhe liritë universale të përgjithshme të pranuara.

Miq të dashur,
Fakti që jemi tubuar këtu, në Republikën e Shqipërisë përmban në vete një simbolikë të fortë dhe njëkohësisht dërgon një mesazh të fuqishëm, gjegjësisht, ky vend, ka qenë dhe është vend unik me përbërje unike fetare i cili njëkohësisht është shembull për atë se si mund të jetojnë, bashkekzistojnë dhe bashkëveprojnë në harmoni religjionet e ndryshme. Në të njëjtën kohë, mund të merret si model për implementimin e marrëdhënieve të njëjta ndërfetare me respektin e njëjtë të ndërsjellë, siç mund ta shohim këtu. Prandaj e shoh si shumë të dobishme prezencën e liderëve fetarë në Shqipëri këtu ndër nesh, përfaqësuesit zyrtarë të shteteve përreth, por edhe të ekspertëve të lirive fetare dhe aktivistëve nga pjesët e ndryshme të botës sepse është më se e nevojshme sinergjia, bashkëpunimi dhe plotësimi i zbrazëtirave në ndërtimin e shoqërive humane, miqësore ndaj çdo individi, ndaj çdo qenieje njerëzore e cila duhet ti gëzojë të gjitha liritë dhe të drejtat universale të miratuara që prej para 70 vitesh me Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe obligimi dhe përkushtimi ndaj parimeve dhe qëllimeve të ligjeve ndërkombëtare dhe drejtësisë dhe sundimi i të drejtës së bazuar pikërisht mbi këtë të drejtë ndërkombëtare, është garanci për paqen dhe sigurinë në botë. Ruajtja e kësaj paqeje dhe sigurimi i kushteve dinjitoze për jetë është obligim i të gjithë politikëbërësve, i të gjithë neve që jemi në pozitën e pushtetit ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe presidencial por, në të njëjtën kohë është obligim edhe i të gjithë komponentëve që janë pjesë përbërëse e indit shoqëror, qofshin ato administratorët, profesionistët, akademikët, mediumet, shoqëria civile apo bashkësitë fetare dhe liderët fetarë. Kuptohet, secili në fushëveprimin vet duhet të kontribuojë në ndërtimin e shoqërisë harmonike në të cilën secili individ do të ndihet i barabartë, i respektuar dhe i kompletuar dhe si pasojë e kësaj, do ketë vullnet për kontributin e vet më të zellshëm në mjedisin e vet dhe tërthorazi, në shoqërinë dhe rajonin më gjerë.

Kolegë të nderuar,
Religjioni, cilido qoftë ai, nëse praktikohet ashtu siç është shkruar, nëse interpretohet me qëllim të mirë, pa përdorur fjalor urrejtjeje, nënçmimi, poshtërimi, diskriminimi dhe përjashtimi të atyre që nuk janë pjesë e religjionit tonë, mund të prodhojë vetëm mirësi, mirëkuptim dhe respekt ndaj të ndryshmit por, nëse keqpërdoret për arritjen e qëllimeve të zymta, për përçarjen e njerëzve dhe popujve, duhet të parandalohet dhe të vihet në korniza ligjore, përsëri, duke e pasur parasysh gjithmonë të drejtën e përkatësisë ose kalimit në religjion të caktuar tjetër, të drejtën e të shprehurit të lirë të mendimeve dhe ndjenjave fetare por natyrisht, pa e imponuar këtë me detyrim, me kufizim ose me dhunë. Këtu, rolin kryesor e luajnë ligjvënësi, zbatuesit e ligjit, liderët fetarë, gjithnjë në koordinim dhe në drejtim të arritjes së harmonisë fetare dhe respektimit të ligjeve të pranuara.

Prandaj, inkurajoj çdo bashkëpunim, çdo bashkëveprim mes këtyre faktorëve shoqërorë në drejtim të arritjes së mirëkuptimit dhe respektimit të ndërsjellë mes njerëzve, të drejtave dhe lirive të tyre.

Uroj që forumet e këtilla në të cilat promovohet religjioni si instrument i paqes, bashkëpunimi rajonal dhe ndër-njerëzor të kenë sukses dhe të tejkalojnë barrierat e dukshme dhe të padukshme, sepse potenciali i qenieve njerëzore nuk guxon të pengohet, hapësira e veprimit nuk duhet të ngushtohet por përkundrazi, duhet të avancohet dhe të zgjerohet me nisma pozitive për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe lirisë në të gjitha aspektet të gjithë njerëzimit, pa dallim dhe diskriminim në bazë të përkatësisë fetare, kombëtare, racore, gjinore, sociale, kulturore dhe çfarëdo tjetër bazë, të gjithë jemi njerëz me të drejta, obligime dhe liri të njëjta.

Të nderuar, ju faleminderit për vëmendjen!” – shprehet Xhaferi

E hënë, 18 nëntor 2019 Tiranë, Republika e ShqipërisëFjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së…

Publiée par Talat Xhaferi sur Lundi 18 novembre 2019

Marketing