Nga epilogu i takimit të sontëm mes kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski varet kur do të mbahen vazhdimet e seancës së Komisionit dhe atij plenar për Ligjin e Prokurorisë publike si dhe seancës parlamentare për shkarkimin e prokurores speciale Katica Janeva, por ajo patjetër të shkarkohet më së voni deri më 15 shtator.
Nëse ka marrëveshje, seancat do të mund të caktohen që nesër, ka thënë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili ka shtuar se patjetër të respektohet afati deri më 15 shtator për shkarkimin e Janevës.
“Në ora 20 do të mbahet takim liderësh mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës këtu në Kuvend dhe me siguri duke pasur parasysh se ajo është e paralajmëruar, si Kuvend mendoj se duhet t’u jepet mundësi liderëve të arrijnë deri te zgjidhja e pranueshme për gjitha palët dhe në këtë kontekst do të jetë rezultati lidhur me obligimin e seancës. Në çdo rast do të presim se si do të përfundojnë bisedimet, ndërsa prej nesër e tutje nuk është kontestues në çfarëdo momenti të mbahet seancë për shkarkimin e Janevës, ka deklaruar Xhaferi.
Pas mbajtjes së seancës së Komisionit ku është sjell propozim- vendim për shkarkimin e prokurores speciale e cila është në paraburgim për rastin “Reket”, Xhaferi ka dërguar kërkesë formale deri te katër partitë më të mëdha, LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët me shkrim të dorëzojnë pëlqim për shkarkimin e Janevës, sipas ligjit. Deri tani pëlqim formal me shkrim është marrë vetëm nga BDI dhe ASH.
“Të enjten ka përfunduar debati i Komisionit lidhur me iniciativën e Këshillit të prokurorëve publik për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva. Detyrë e Kuvendit është të diskutojë edhe sipas ligjit me dy të tretat e shumicës dhe plus votimit me Badenter të vërtetohet propozimi i Komisionit për shkarkimin dhe i njëjti të kthehet në miratim për Këshillin e prokurorëve publik. Të enjten pasdite kam dërguar letër deri te katër partitë më të mëdha ashtu siç kërkon ligji për prokurori publike që me shkrim të më dorëzojnë pëlqim për vërtetimin e propozim- ligjit për shkarkimin e Janevës”, ka thënë kryetari i Kuvendit.
Nëse arrihet marrëveshje në takimin e sontëm të liderëve, është reale të pritet nesër të vazhdojë seanca e Komisionit për çështje evropiane që i shqyrton amendamentet e Ligjit për prokurorinë publike me të cilin parashihet PSP të transformohet në PTHP për ndjekje të veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Deri tash janë kaluar 10 amendamente, ndërsa 41 janë ende për shqyrtim. Pas diskutimit të Komisionit, do të mund të thirret vazhdim i seancës parlamentare dhe ligji të sillet menjëherë.
Shkarkimi i Katica Janevës duhet të jetë në seancë të re e cila poashtu mund të jetë nesër, më së voni deri 15 shtator. Nesër Kuvendi ka caktuar seancën e re të 111-të, ashtuqë kushte për kuorum dhe votim do të mund të ketë.
Mes deputetëve të dy partive mbizotëron optimizëm se mund të arrihet marrëveshje.