Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, priti në një takim në Tiranë kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi,.
Në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë, thuhet se Nikolla, duke folur për rrugëtimin evropian të të dy vendeve dhe plotësimin nga ana e tyre të të gjitha rekomandimeve të Këshillit Evropian, vuri në dukje se “Historia dhe inercitë e të kaluarës nuk duhet të pengojnë të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe të popujve tanë.”
“Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përbëjnë një shembull bashkëpunimi në rajon. Ne vlerësojmë reformat e ndërmarra nga Maqedonia e Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE si edhe qasjen e re ndaj fqinjëve. Në këto arritje ka kontribuar edhe pjekuria e faktorit politik shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një faktor progresi, integrimi dhe evropianizimi”, ka theksuar Nikolla.
Sipas njoftimit, Xhaferi vuri në dukje se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e progresit dhe të reformave integruese dhe se “shqiptarët dhe forcat politike që i përfaqësojnë ata do të vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin, progresin dhe evropianizimin e Maqedonisë së Veriut.”
Nikolla dhe Xhaferi në takimin e realizuar në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë diskutuan edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, midis grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare, si edhe rritjen e rolit të kuvendeve në nxitjen e bashkëpunimit midis të dy vendeve.