Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nuk ndjen përgjegjësi t’u kërkojë falje shërbimeve të kuvendit, pas skandalit në kuvend. Në një takim me gazetarët, Xhaferi tha se ka qenë i revoltuar nga puna e shërbimeve, pasi nuk e kanë kryer punën siç duhet, duke i dorëzuar materiale të gabuara. Mohoi të përgjigjet nëse u ka kërkuar falje shërbimeve. Fyerjet, sipas Xhaferit, nuk janë drejtuar të punësuarve, por qasjes së tyre ndaj punës.
“Nëse vijohet deri në fund procedura, për një gabim të tillë shkohet në shtëpi. Materiali i përgatitur e kthente seancën mbrapa. Nëse nuk e vëreja, s’do mund ta kthenim seancën aty ku kishim mbetur. Nuk konsideroj se kam shkelur diçka, pjesa tjetër është mendim i publikut. Publiku tha atë që mendonte.”,- theksoi Xhaferi.
Kryeparlamentari kërkesën për dorëheqje e konsideron si veprim me të cilin merret opozita në mungesë të aktiviteteve të mirëfillta. Ai mohon të përgjigjet nëse ka bazë që komisioni për çështje të mandatit ta suspendoj nga detyra.