Xhaferi: Paditë e opozitës të pa baza, janë për politikë ditore

Po të duan le të ngrisin edhe 10 padi penale, por Kuvendi nuk bazohet në Kodin Penal por mbi Kushtetutë dhe Rregullore, thotë për TV21 kryeparlamentari Talat Xhaferi, për kallëzimet që opozitarja VMRO-DPMNE dhe “E majta” bënë ndaj tij dhe dy deputetëve që shkuan në Kuvend për të votuar, edhe pse ishin të infektuar me COVID-19.

Marketing

Talat Xhaferi: “Çështje e politikës ditore është aspekti i ngritjes së padive penale, të pabazuara”.

TV21: Mendoni se nuk do të ndodhë asgjë pas këtyre dy padive?

Talat Xhaferi: “Jo mor vëlla, unë nuk ngarkohem me ato çështje. Jam i koncentruar në obligimet e mia si kryetar i Parlamentit të zbatoj Kushtetutën dhe rregulloren e punës së parlamentit”.

Me Kushtetutë, shpjegon Xhaferi, deputeti nuk mban përgjegjësi për qëndrimet dhe votën e tij në Parlament, prandaj nuk mund të ketë as përgjegjësi penale. Si rrjedhojë, është rregulluar edhe me protokoll, që deputeti pozitiv me koronavirus të shkojë në seancë dhe të mundësojë funksionim të Kuvendit.

“Nëse gjendja e përgjithshme shëndetësore e tij nuk është e rënduar dhe është në kushte shtëpiake, me protokolle të veçanta për lëvizje nga shtëpia deri në parlament, dhe anasjelltas, nuk rrezikon askënd, nuk e përjashton mundësinë që ai të merr pjesë, sepse është përcaktim dhe sanksionim Kushtetues”, shtoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Paditë penale të dy partive opozitare janë ngritur mbi bazë se është shkelur Kodi Penal dhe Ligji për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse.

Pas seancës së të dielës, Inspektorati Shtetëror i Punës kreu inspektim të jashtëzakonshëm në shtëpinë ligjvënëse, ndërsa ka konstatuar se Kuvendi punon në bazë të protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë – Komisioni për sëmundje ngjitëse, andaj nuk ka parregullsi në atë që deputetë të infektuar morën pjesë në seancë plenare nën kushte të veçanta.