Xhaferi – Peleshi: Bashkëpunimi në mbrojtje është rritur përmes mbajtjes së aktiviteteve stërvitëse në dy shtetet

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim bilateral me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi.

Marketing

Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Kuvendit, Xhaferi theksoi se të dy vendet i bashkon miqësia dhe bashkëpunimi i sinqertë që në të ardhmen pritet të përforcohet dhe avancohet akoma më shumë, sidomos tani kur Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e plotfuqishme në NATO, me çka bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes u rrit edhe më shumë përmes mbajtjes së aktiviteteve të përbashkëta të stërvitjes në të dyja shtetet.

Ai informoi për mbajtjen e paradokohshme të zgjedhjeve lokale të cilat kaluan në atmosferë korrekte dhe demokratike dhe për rezultatet nga zgjedhjet të cilat gjithsesi do i respektojnë të gjithë subjektet politike. Konfirmoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet tërësisht në përcaktimin për integrim evropian dhe punon me përkushtim për nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, me qëllim që sa më shumë vende nga rajoni t’i bashkëngjiten të njëjtës. Xhaferi drejtoi urime të sinqerta edhe për zgjedhjen e Shqipërisë për anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara prej më 1 janar 2022.

Xhaferi siç qëndron në kumtesë, e njoftoi bashkëbiseduesin për takimin e paradokohshëm bilateral në margjinat e Konferencës në Athinë me Lindita Nikolla, Kryetaren e re të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe shprehu bindjen për intensifikimin e bashkëpunimit në nivelin parlamentar në të ardhme, pasi të formohet Grupi Parlamentar i Bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuvendin shqiptar.

Ministri Peleshi theksoi se në Shqipëri ndiqen me vëmendje të gjitha ngjarjet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke shprehur me këtë rast afirmim të nivelit të lartë të respektimit të standardeve demokratike në procesin zgjedhor në vend. Sugjeroi se shumë çështje na bashkojnë si vende, sidomos procesi integrues evropian, për të cilin pret së shpejti të ketë avancim. Informoi për ngjarjet e fundit në Republikën e Shqipërisë, sidomos pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në prill të vitit 2021. Nënvizoi se, edhe pse Ballkani është rajon turbulent me shumë sfida dhe surpriza, përsëri është e domosdoshme të qëndrohet në proceset integruese që janë në interes të dy shteteve dhe qytetarëve.

Bashkëbiseduesit, veçanërisht u ndalën në nevojën për ndërlidhjen më të madhe infrastrukturore përmes projekteve të bashkëpunimit në kuadër të IPA 2 programit për bashkëpunim tejkufitar, me qëllim të nxitjes së zhvillimit tejkufitar ekonomik, ekologjik dhe social, si edhe intensifikimin e tyre. Të dy u pajtuan se doemos të vazhdohet me ndërtimin e rrugëve si edhe ndërlidhjen energjetike dhe hekurudhore mes dy vendeve në suazat e Korridorit 8, e tëra me qëllim të qarkullimit më të madh të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për të cilat ekziston potencial shumë i madh.