Nëse gjithçka shkon siç është dakorduar dhe mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill, Parlamenti do të shpërndahet më 12 shkurt, ndërsa meqë gjithçka do të dihet prej më parë dhe do të dakordohet, siç thotë në intervistë për MEDIAL-n kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, Qeveria teknike mund të zgjidhet në të njëjtën ditë kur të konstatohet edhe dorëheqja e kryeministrit aktual. Kjo, siç shton ai, do të mund të jetë edhe më 3 janar 2020, ndërsa prej 4 janarit qeveria e re kalimtare të fillojë të funksionojë.
“Formalisht pasi është punë e cila është pranuar prej të gjithëve, nuk është kontestuese kjo të ndodhë më 3 janar, që të mundet gjatë ditës të zbatohen të gjitha procedurat lidhur me seancat të cilat duhet të mbahen atë ditë pasi procedurat në mënyrë të përshtatshme parashohin dorëheqjen e kryeministrit, konstatimin e dorëheqjes së kryeministrit, njoftimin për kryetarin se Qeveria është në dorëheqje, sipas Ligjit për Qeverinë duhet të përcaktohet mandatari i ri, të marrë mandat dhe ky mandatar të japë propozim për ministrin e Punëve të Brendshme dhe për Punë dhe Politikë Sociale, për tre zëvendësministra në MPB, të Punës dhe Politikës Sociale dhe Bujqësi, që të mund të konvokohet seancë për zgjedhjen e tyre dhe me këtë faktikisht deri në orën 24 më 3 janar të përmbyllet kjo seancë dhe prej 4 janarit të funksionojë si qeveri teknike”, thekson Xhaferi.
Xhaferi këtë mandat parlamentar e vlerëson si më të rëndin deri më tani duke i pasur parasysh vendimet e vështira që duhej të silleshin jo vetëm këtë vit, por që nga zgjedhja e këtej. Kuvendi sipas tij, ka punuar me kushte specifike, duke filluar nga ajo që ndodhi në vitin 2017.
“Në përgjithësi si mandat është një nga mandatet më të vështira, nëse jo edhe më i vështiri në të cilin u zhvilluan shumë punë të cilat me siguri do të lënë gjurmë historike në punën e Kuvendit. Vendime mjaft të vështira të cilat duhej të realizoheshin dhe mendoj se me punë arritëm t’i tejkalojmë, që t’i dëgjojmë të gjitha dallimet lidhur me debatin, u dhamë kohë të gjithë atyre që duhej të merrnin pjesë në atë debat, në mënyrë të përshtatshme mendoj edhe se u morën parasysh pjesa më e madhe e sugjerimeve edhe prej qëndrimeve të ndryshme dhe me atë faktikisht ia dolëm ta përmbyllim sjelljen e vendimeve të rëndësishme dhe projektet të cilat ishin para nesh”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Në intervistën, e cila do të publikohet sot kryetari i Kuvendit flet edhe për ngjarjet aktuale në Parlament me ligjet e shumta dhe agjendën e ngjeshur, bllokadat e disa vendimeve të caktuara ligjore dhe pikat politik që në këtë mënyrë grupet parlamentare tentojnë t’i “grumbullojnë” para zgjedhjeve të paralajmëruara, stabilitetin e koalicionit midis BDI-së dhe LSDM-së, pritshmëritë prej zgjedhjeve parlamentare të ardhshme dhe për mandatin e tij eventual…