Xhaferi – Shentop: RMV-në dhe Turqia ruajnë miqësi dhe partneritet të fortë tradicional

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka pritur në një takim Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Mustafa Shentop, i cili po qëndron për vizitë dyditore në vend me një grup deputetësh. Siç njoftojnë nga kabineti i kreut të Kuvedit Xhaferi ka theksuar se dy vendet ruajnë miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, ndërsa bashkëpunimi bilateral midis të dy vendeve është dinamik në të gjitha nivelet.

Marketing

“Republika e Turqisë është vazhdimisht ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vazhdimisht investon në ekonominë e Maqedonisë, dhe në këtë drejtim kontribut të veçantë jep Oda Ekonomike e RMV-RT, MATTO. Vlerësojmë shumë bashkëpunimin e suksesshëm me Republikën e Turqisë në kuadër të NATO-s dhe mbi të gjitha në fushën e trajnimit dhe edukimit ushtarak, donacionet e pajisjeve për nevojat e Armatës sonë, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet paqësore.”, thuhet në kumtesë.

Nga ana tjetër Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Mustafa Shentop, u zotua për intensifikimin e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të ndërsjellë në periudhën e ardhshme, me të njëjtin vullnet dhe sinqeritet si më parë. Ai ka shprehur mbështetjen e plotë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE “Republika e Turqisë mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit dhe veçanërisht të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, ai uroi për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe është i bindur se vendi do të bëhet anëtar i Unionit brenda një periudhe të arsyeshme kohore.”, thuhet në kumtesën e kuvendit.

Xhaferi dhe Shentop u shprehën të bindur se partneriteti afatgjatë midis të dy vendeve dhe trendi pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral edhe më tutje do të përparojnë. Vizita e Shentop në Maqedonisë së Veriut është në kuadër të shënimit të Ditës së Mësimit në Gjuhën Turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut.