Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një prononcim për MIA ka folur edhe për dezinformatat lidhur me atentatin e supozuar ndaj Kryeministrit të Kosovës gjatë vizitës së tij të fundit në vend.
“Në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka Kryeministri i Kosovës, ai është i obliguar të marrë pjesë në një konferencë të partive socialiste që është mbajtur në Shkup me ftesë të një organizate joqeveritare. Sigurisht që ai mori pjesë në atë ngjarje, por ishte i çuditshëm fakti që pas kthimit të tij në Prishtinë, televizioni shtetëror RTK fillimisht njoftoi se po i përgatitej një atentat në RMV. Çështje që e dëgjuam në media, për të cilën si institucione reaguam në mënyrë adekuate dhe rezultoi se bazohej në disa deklarata mediatike, deklarata në FB të njerëzve teksa qëndronin në Nju Jork, në Këshillin e Sigurimit dhe në fund vlerësimi im është se me atë deklaratë dhe me atë publikim i është bërë dëm më shumë vetë Agjencisë së Informacionit të Kosovës, që faktikisht për shkak të komunikimit, që do të thotë se ka pasur një komunikim përkatës dhe institucionet tona nuk e konfirmojnë një mundësi dhe aktivitet të tillë të drejtuar ndaj kryeministrit të një vendi, pra një pjesëmarrësi në eveniment. Natyrisht, e them përsëri se është konstatimi im se i është bërë dëm vetë institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse në të ardhmen kush tjetër do të angazhohej në një shkëmbim informacioni, nëse ato informacione me anë mjeteve të informimit publikë, plasohen ashtu siç ka ndodhur, dhe metodologjia e komunikimit e atyre institucioneve është në mënyrë adekuate e përcaktuar me ligje përkatëse, e cila shkon përtej asaj që është rregullsia në komunikim dhe në shkëmbimin e informacionit. Dëmi është akoma më i madh për institucionet e Republikës së Kosovës se sa dëmi që na është bërë neve. Të gjithë jemi të informuar siç duhet për të gjitha rrjedhat lidhur me ngjarjet që organizohen në territorin tonë dhe institucionet kanë marrë të gjitha masat e duhura. Fakti se ka masa të shtuara të sigurisë, institucionet tona menjëherë e kanë njoftuar opinionin se një ditë më parë në Shkup dhe më gjerë do të ketë një regjim të veçantë komunikacioni dhe lëvizjeje në qytetin e Shkupit dhe qytetarët janë njoftuar me kohë që të kenë informimin adekuat dhe respektimin e tyre në përputhje me udhëzimet e zyrtarëve dhe në këtë kontekst mendoj se është ndërmarrë gjithçka nga ana jonë dhe në fakt askush nuk e konfirmon se ka pasur indikacione të tilla. Ajo është bazuar në shkrimet e FB. Por e them sërish, dëmi është më i madh për vetë institucionet në Kosovë, për të cilat duhet të mendojnë institucionet tjera partnere dhe si do të komunikojnë në të ardhmen,” theksoi Kryeministri Xhaferi
Në pyetjen nëse vendi është keqpërdorur për kalkulime të brendshme politike në Kosovë, Kryeministri Xhaferi ka theksuar se nuk do të hyjë në atë analizë.
“Nuk do të doja të hyja në atë analizë. Nuk është e përshtatshme që si Kryeministër të futem në atë analizë me një koment. Ka të tjerë që bëjnë analizat nga ai kontekst,. Për mua si Kryeministër është e rëndësishme që isha menjëherë i informuar dhe paraprakisht i njoftuar me aktivitetet që do të zhvillohen në territorin e shtetit dhe rrjedhimisht ka reagime dhe përgënjeshtrim nga institucionet kompetente pas të cilit përgënjeshtrim edhe qëndroj, sepse edhe u vërtetua se ajo që e tha institucioni është ashtu,” deklaroi Kryeministri Xhaferi.