Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi realizoi takim me Kryetarin e Parlamentit Evropian, z. David Maria Sasoli, i cili pas ndërmarrjes së funksionit, vizitën e parë jashtë Bashkimit Evropian e realizon pikërisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje ndaj z. Sasoli për letrën që bashkë me funksionarët më të lartë të Bashkimit Evropian e drejtuan para mbajtjes së takimit të Këshillit Evropian, me të cilën kërkohej ndarja e datës për negociatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe theksuan se vendimi do të jetë test për aftësinë e Unionit ti përmbushë premtimet dhe të shohë drejt ardhmërisë. Kryetari Xhaferi falënderoi edhe për mbështetjen e Parlamentit Evropian e cila erdhi në formë të Rezolutës për fillimin e negociatave aderuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku theksohet se vendimi i samitit të fundit është gabim strategjik, i dëmshëm për besueshmërinë e BE-së dhe dërgon sinjal negativ te vendet kandidate në lidhje me marrëdhëniet e mira fqinjësore, si edhe se hap derë për ndikime tjera në rajon. Ai theksoi se, ekziston dëshpërim i madh pas vendimit të Këshillit Evropian për arsye se arsyeshëm pritnim mirënjohje për reformat e realizuara dhe për vendimet serioze politike të vendit për përmbushjen e rekomandimeve të BE-së. Nëse arsyeja për mosndarjen e datës për negociata është nevoja për vendosjen e metodologjisë së re për negociatat aderuese e cila procesin do e bëjë më efikas, kjo është e pranueshme për ne por, nuk është e pranueshme alternativa e procesit të aderimit si partneritet i privilegjuar ose vënia e vendit në kategorinë fqinjësisë të BE-së, theksoi Kryetari Xhaferi.
Kryetari i Parlamentit Evropian Sasoli potencoi se, dëshpërimi i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut është dëshpërim edhe i numrit më të madh të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë të bindura se vendi është i përgatitur të fillojë procesin aderues. Ai theksoi se bëhet fjalë për ngecje për arsye se Këshilli Evropian nuk tha “jo”, por e shtyu vendimin, gjegjësisht në vend për gabim historik, flasim për ngecje historike. Sasoli potencoi se, një mundësi është humbur por do të bëhet gjithçka që të krijohet një mundësi e re. Sipas tij, me rëndësi është të kuptohen vërejtjet që i kishin vende të caktuara dhe të punohet në tejkalimin e tyre. Kryetari i Parlamentit Evropian, shprehu bindje se çështja e hapjes së negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut mund të vihet përsëri në rend të ditës, duke e pasur parasysh mbështetjen e numrit të madh të vendeve anëtare, si edhe qëndrimin e përbashkët të institucioneve evropiane, por edhe se në ndërkohë shteti duhet të vazhdojë me reformat. Në fund nënvizoi se, ardhmërinë e shtetit e sheh në familjen e përbashkët evropiane.