Xhaferi-Sullivan: Ky është moment historik për Maqedoninë

Sot, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi realizoi takim me z. Xhon J. Salivan, zëvendëssekretarin shtetëror të SHBA-ve.

Marketing

Në takim, kryetari Xhaferi shprehu falënderim ndaj SHBA-ve si partner strategjik i vendit tonë, për mbështetjen e vazhdueshme që ia jep jo vetëm Republikës së Maqedonisë por edhe gjithë rajonit. Ai e njoftoi mysafirin e lartë me aktivitetet rrjedhëse në shtëpinë ligjvënëse në lidhje me miratimin e propozim amendamenteve kushtetuese, si fazë e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, me pritje se procesi do të rrumbullakohet deri në fund të gjysmës së parë të muajit janar të vitit 2019.

Më tutje, Xhaferi fliste për hapat që i ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Maqedonisë për përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke konfirmuar se Marrëveshja për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë veç më jep rezultate pozitive.

Në vazhdim, kryetari Xhaferi theksoi se Kuvendi është i inkuadruar në mënyrë aktive në nxjerrjen e pakos së ligjeve reformuese në fushën e gjyqësisë, sigurisë dhe administratës publike, për të cilat veç më ka qëndrime të harmonizuara ndërmjet shumicës dhe opozitës dhe për të cilat pritet që pas debatit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm, të hyjnë në fuqi.

Zëvendëssekretari shtetëror Salivan, theksoi se i vjen mirë që është në vizitë në Republikën e Maqedonisë në këtë moment historik për vendin, kur është në fazën përfundimtare implementimi i Marrëveshjes së Prespës dhe nënvizoi se qëllimi i vizitës së tij pikërisht në këtë moment historik për vendin është që ta transmetojë mbështetjen e SHBA-ve për këtë Marrëveshje dhe të konfirmojë se sa është rëndësia e përpjekjeve që Republika e Maqedonisë i bën në këtë plan.

Në pyetjen e Salivan-it në lidhje me shqyrtimin e mundësive për rritjen e mbështetjes për ndryshimet kushtetuese, kryetari i Kuvendit tha se në kuadër të shtëpisë ligjvënëse të Republikës së Maqedonisë zhvillohen biseda për rritjen e mbështetjes nga një numër më i madh i deputetëve për ndryshimet kushtetuese.

Ai shprehu shpresë se numër sa më i madh i deputetëve, pa dallim në përkatësinë e tyre partiake, do e mbështesin marrëveshjen, duke e pasur parasysh momentin historik para të cilit gjendet shteti dhe efektet pozitive nga anëtarësimi në NATO, në planin politik, të sigurisë por edhe atë ekonomik.