Xhaferi takohet me delegacionin e Bundestagut gjerman(Foto)

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me deputetë të Bundestagut gjerman, z. Josip Juratovic, z-nja Renata Alt, z. Hansjerg Miler, dhe ishin të shoqëruar nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Tomas Gerberih.

Marketing

Kreu i Kuvendit në fillim të takimit u uroi mirëseardhje dhe shprehu falënderim të sinqertë ndaj Bundestagut për ratifikimin e Protokollit aderues për vendin tonë për anëtarësim në NATO dhe i informoi deputetët e nderuar se deri tani, 17 vende e kanë ratifikuar Protokollin aderues. Në vazhdim, u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer në shumë fusha të jetës shoqërore dhe politike, si edhe ajo se bashkëpunimi duhet të thellohet dhe të intensifikohet, duke i pasur parasysh aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Xhaferi e potencoi bashkëpunimin parlamentar me Bundestagun, sidomos në pjesën e mbindërtimit të kapaciteteve të shërbimit të Kuvendit dhe duke e marrë parasysh se në vazhdimësi realizohen trajnime studimore të nëpunësve tanë në Bundestag, përvojat janë më se pozitive dhe konstruktive, sipas informimit të pjesëmarrësve.

Xhaferi po ashtu theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioriteti ynë strategjik dhe nacional. Ai sugjeroi se në drejtim të arritjes së qëllimeve tona evropiane, u bënë reforma thelbësore sipas planeve “3-6-9” dhe “Planit 18” të Qeverisë, në pjesën e jurisprudencës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në transformimin dhe ndryshimin e tërësishëm të mënyrës së funksionimit të shërbimeve të sigurisë, që është me rëndësi thelbësore për ardhmërinë e shtetit tonë dhe parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme të sistemit në të ardhme.

Z. Juratoviq, kryetari i Grupit parlamentar për bashkëpunim falënderoi për mikpritjen dhe e theksoi lidhjen miqësore me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbështetjen e madhe për aspiratat e saj. Ai shprehu fjalë lëvdate për reformat, për përparimin dhe para së gjithash, për qasjen kompromise dhe zgjidhjen finale të problemit me emrin. Deputeti Juratoviq porositi mbajtje të ritmit të mirë dhe përparimit me reformat.