Xhaferi takon Delegacionin e Komisionit të Përhershëm për Çështje Evropiane të Parlamentit të Mbretërisë së Holandës(Foto)

Takim i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi me Delegacionin e Komisionit të Përhershëm për Çështje Evropiane të Parlamentit të Mbretërisë së Holandës

Marketing

Në takimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi me Delegacionin e Komisionit të Përhershëm për Çështje Evropiane të Parlamentit të Mbretërisë së Holandës të paraprirë nga kryetari i Komisionit Hajke Veldman, u këmbyen informata dhe mendime në lidhje me agjendën tonë evropiane dhe reformat që vijojnë në rrugën kah përcaktimi i datës për negociata me BE-në.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi shprehu kënaqësi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme të Mbretërisë së Holandës ndaj vendit tonë nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe shprehu shpresë se, në periudhën e ardhshme komunikimi dhe bashkëpunimi parlamentar do të intensifikohet në një nivel më të lartë.

Kryetari Xhaferi e shfrytëzoi mundësinë në këtë takim për ti informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mysafirët nga Holanda për atë që është bërë në procesin e deritanishëm të reformave që bëhen në funksion të marrjes së datës për negociata me BE-në. Respektivisht, ai u përqendrua konkretisht në reformat në fushën e sundimit të drejtës, administratës publike dhe reformave në shërbimet e zbulimit, i informoi mysafirët për çdo fushë veçmas dhe për atë se deri ku kanë mbetur proceset e implementimit të zgjidhjeve ligjore veç më të nxjerra dhe shprehu shpresë se deri në marrjen e vendimit të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave me vendin tonë, të gjitha obligimet do të përfundohen. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjithashtu shprehu kënaqësi për zgjedhjet presidenciale të zbatuara me sukses dhe theksoi se, ky është edhe një argument në favor të marrjes së datës për negociata.

“Unë, si Kryetar i Kuvendit do të vazhdoj si edhe deri tani ti artikuloj interesat e të gjithë deputetëve në Kuvend, veçanërisht në komunikimin tim me opozitën, për shkak se jam kryetar i të gjithë deputetëve dhe Ju siguroj se jemi në rrugë të mirë,” tha Kryetari Xhaferi.

Mysafirët nga Mbretëria e Holandës, anëtarët e Komisionit të Përhershëm për Çështje Evropiane dhe kryetari i Komisionit, Hajke Veldman, falënderuan dhe shprehën kënaqësi për takimin me Kryetarin Xhaferi, si edhe për mundësinë të informohen drejtpërdrejtë nga Kryetari për proceset reformuese që janë në kompetencë të Kuvendit. Kryetari i Komisionit, Veldman, uroi për zbatimin e suksesshëm të ndryshimeve kushtetuese dhe për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, si edhe për zgjedhjet presidenciale të zbatuara me sukses dhe shprehu gatishmëri në emër të komisionit që e kryeson se do të mbajnë debat të frytshëm dhe konstruktiv në Parlamentin holandez ku para kolegëve të vet do i prezantojë të gjitha informatat dhe mendimet që i ka marrë në lidhje me agjendën tonë evropiane dhe me implementimin e saj.
Në fund të takimit, të gjithë bashkë konkluduan dhe u pajtuan me Kryetarin Xhaferi se jemi në rrugë të mirë dhe ashtu duhet të vazhdojmë.

Marketing