Xhaferi takon homolugin e tij bullgar, Nikolla Minçev

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takimin e parë me kolegun e tij bullgar, Kryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë, Nikolla Minçev, që është takimi i parë pas marrjes së tij zyrtare të këtij funksioni.

Marketing

Kryetari Xhaferi fillimisht e shfrytëzoi rastin dhe personalisht ia uroi zgjedhjen e tij për Kryetar të Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë dhe i uroi sukses gjatë mandatit të tij. Nga ana e tij u potencua nisma për bashkëpunim të hapur në tema me interes të ndërsjellë, si kontribut në avancimin e bashkëpunimit bilateral të përgjithshëm për të dy shtetet.

Duke e përshëndetur mbajtjen e këtij takimi, Kryetari Minçev u pajtua se parlamentet duhet të vazhdojnë bashkëpunimin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe të kryetarëve të parlamenteve dhe në këtë kontekst, e paralajmëroi formimin e shpejtë të Grupit të Bashkëpunimit në Kuvendin Popullor të Republikës së Bullgarisë.
Takimi përfundoi me ftesë për vizitë oficiale të ndërsjellë të të dy kryetarëve të kuvendeve.