Xhaferi: Zgjedhjet presidenciale do të shpallen më 8 shkurt

Zgjedhje të parakohshme parlamentare do të shpallen atëherë kur të jetë arritur marrëveshje për Qeveri teknike me mandate 100 ditor, deklaroi kreu i Kuvendit Talat Xhaferi në takimin me gazetarët. Ai shtoi se iniciativën e VMRO-DPMNE-së për shpërndarje të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja do ta vendosë në rend dite vetëm kur të ketë konfirmim me 61 nënshkrime deputetësh se paraprakisht është arritur marrëveshje për Qeveri teknike, siç e parashikon ligji, me mandat 100 ditor para ditës së zgjedhjeve. Sipas Xhaferit, kjo nënkupton se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk mund të realizohen bashkë me ato presidencialet, sepse tashmë janë tejkaluar afatet dhe nuk kanë mbetur 100 ditë deri në ditën e zgjedhjeve.

Marketing

I pyetur për zgjedhjet presidenciale, mundësinë e mos-arritjes së censusit prej 40% të daljes së votuesve dhe përgatitjen për të ushtruar përkohësisht funksionin e presidentit të vendit siç e parashikon Kushtetuta, Xhaferi u deklarua i gatshëm. Kjo, sipas tij, është detyrim që del nga Kushtetuta, me të cilin është pajtuar që kur ka pranuar detyrën e kryetarit të Kuvendit. Zgjedhjet presidenciale do të shpallen më 8 shkurt.