Xhamia Al-Aksa në Kuds do të mbyllet për tre javë për shkak të përhapjes së koronavirusit (COVID-19), njoftoi sot Vakëfi Islam i Kudsit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Adhuruesit dhe vizitorët nuk do të pranohen në xhami që nga e premtja për një periudhë tre javore për shkak të shpërthimit të virusit”, tha për AA, Hatem Abdel Qader, një anëtar i Vakëfit Islam të Kudsit.
Ai megjithatë tha se xhamia do të mbetet e hapur për thirrjen e ezanit, rojet e xhamisë dhe stafin.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, numri i rasteve me COVID-19 në Kuds ka arritur në 8.000 që nga qershori.
Xhamia Al-Aksa u mbyll për dy muaj në fund të marsit për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën Mali i Tempullit, duke pretenduar se është vendi i dy tempujve hebrenj në kohërat antike.