Xhamia e Bardhë në Kopanicë hap dyert për besimtarët

Xhamia e dytë në fshatin Kopanicë të Tetovës, komuna e Jegunovcës, ka hapur më 2 janar, 2020, dyert për besimtarët. Në përurimin e Xhamisë së Bardhë, siç quhet ndryshe për shkak të ngjyrës arkitekturore që dominon tek ajo, kanë qenë të pranishëm Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi; Zëvendëskryetari i Komisionit Shtetëror për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, h. Fadil ef. Ramadani; Myftiu i Strugës, h. Salim ef. Sulejmani; i Kërçovës, h. Murat ef. Huseini; i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili; i Gostivarit, h. Shaqir ef. Fetahu; i Kumanovës, h. Abedin ef. Imeri; i Maqedonisë lindore të Veriut, me seli në Shtip, h. mr. Nasir ef. Rexhepi; Myftiu i mëparshëm i Tetovës, h. Alifikri ef. Esati; pastaj: Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, prof. dr. Shaban ef. Sulejmani; xhemat i shumtë dhe besimtarë të tjerë.
Manifestimi ka filluar me një ashere të kënduar nga Egzon Ibrahimi, nga Kosova, si i ftuar special i Reis’ul-Ulemasë, i cili – bëhet e ditur – i ka emocionuar jashtëzakonisht shumë të pranishmit.
Në emër të Këshillit për ndërtimin e Xhamisë ka folur z. Nusret Hamiti, i cili ka falënderuar të pranishmit për prezencën e tyre, pastaj kontribuesit për ndërtimin e shtëpisë së Zotit etj.
Myftiu i Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi, po ashtu i ka përshëndetur të pranishmit, në veçanti Kryetarin e BFI-së, pa ndihmën direkte të të cilit, ka thënë ai, nuk do të ishte i mundur realizimi i këtij projekti. Fjala e Myftiut të Myftinisë së Tetovës është pasuar nga një ilahi në interpretim të Egzon Ibrahimit, fjala e të cilit është pranuar me shumë respekt nga ana e publikut.
Me fjalë rasti është paraqitur edhe Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili e ka përshëndetur gjithë ulemanë e pranishme dhe për secilin prej tyre, veç e veç, ka thënë fjalët më të mira. “Subjekti politik shqiptar – ka thënë ai për Zëvendëskryetarin e Komisionit Shtetëror për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, h. Fadil ef. Ramadani, i ardhur këto ditë në detyrë – tregoi sens që caktimin e tij ta bëjë BFI dhe ai është zgjedhur me propozimin tonë.” Në këtë drejtim ai është deklaruar optimist se bashkëpunimi i këtij institucioni shumë të rëndësishëm me BFI-në do të jetë në nivel.
“Populli shqiptar – ka thënë Reis’ul-Ulemaja në Kopanicë të Tetovës – është një popull i bekuar nga Zoti. Flas: në shumicë. Nuk flas për përjashtimet. Si thotë fjala e urtë popullore: ‘Mal pa ujk nuk ka’. Por, shumica dërrmuese është popull i bekuar. Nuk ka vend në botë ku nuk ka shqiptarë. Sidomos pjesëtarë të BFI-së të RMV. Por, ne nuk i injorojmë të tjerët që nuk i takojnë shpirtit tonë, fesë sonë, edukatës sonë. Jemi një popull shumë tolerant. Vetëm ata që na e kanë inatin nuk duan ta pranojnë këtë. Por, kjo le të mbetet problem i tyre; ata le të ballafaqohen me krizën e tyre shpirtërore. Çdokush shpërblehet ose sanksionohet me veprat e veta.”
Xhamitë janë të Allahut – ka thënë në vazhdim ai dhe ka vazhduar: “Në to, siç thuhet edhe në një ajet kuranor, adhurohet vetëm madhështia e Tij dhe vetëm Atij ato i kushtohen. Askujt tjetër. Allahu i bekoftë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij tempulli të Zotit.”
Duanë e përurimit të Xhamisë së Bardhë në fshatin Kopanicë të Tetovës e ka bërë Myftiu i Myftinisë së Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili.

Marketing