Futbollisti me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, i cili luan me përfaqësuesen e Zvicrës, deklaroi se do donte të shënonte edhe një gol ndaj Serbisë, në ndeshjen e cila përfundoi me rezultatin 2-3 për “Helvetët”.
Shaqiri u shpreh se nëse sfida do të fitohej me rezultatin 2-4, kundërshtari i radhës për zviceranëtnë 1/16 do të ishte Koreja e Jugut dhe jo Portugalia, shkruan Blick.
31-vjeçari nënvizoi se për këtë shkak u grind edhe me trajnerin, pasi ky i fundit vendosi që ta zëvendësonte.
Ndeshja ndaj Serbisë ishte e veçantë dhe Shaqiri e pranoi se kishte shumë emocione.
“Por unë e dija që nga viti 2018 se çfarë po prisja. Kisha shumë emocione të përfshira, por unë isha i përqendruar në performancën time”, shtoi ai.
Në fund ai foli edhe për përballjen me Portugalinë e Cristiano Ronaldos.
“Ne kemi dëshmuar se mund t’u shkaktojmë shumë probleme. Gjithçka është e mundur në një Botëror, në një lojë, siç tregoi loja e Argjentinës, kur Australia pothuajse barazoi pak para fundit. Nëse të gjithë shkojmë përtej kufijve tanë, ne mund të krijojmë shumë probleme për çdo kundërshtar”, theksoi Shaqiri.
Xherdan Shaqiri realizoi golin e parë për Zvicrën në sfidën ndaj Serbisë. Në ndeshjen e tij të 111-të për Zvicrën, Shaqiri vendosi disa rekorde. Ai është futbollisti i parë i Zvicrës që shënon në tre Kupa Botërore radhazi.
Që nga viti 2014 vetëm ai, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë shënuar të paktën një gol në çdo turne.