Çdo shmangie e forcave serioze politike të vendit nga kursi i integrimit euro-atlantik do të ishte me pasoja të rënda për vendin, vlerëson Seladin Xhezairi nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC).
Sipas tij, një devijim i këtillë do të zhbënte gjithë investimin integrues prej dekadash si të partive maqedonase, ashtu dhe atyre shqiptare.
“Nuk kam dyshim se çfarëdo anashkalimi i vlerave evropiane apo injorim i rekomandimeve që vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni, do të sanksionohej me ashpërsinë çfarë po e përjetojnë disa protagonistë të jetës politike edhe në fqinjësinë tonë. Në gjykimin tim, përveç të ashtuquajturës “Levica”, parti kjo maqedonase, në vija të trasha të gjitha forcat politike janë për integrim në familjen e madhe evropiane. ‘Rrëshqitjet’ e herëpashershme të së djathtës duhet parë më shumë nga këndi i përpjekjeve për të arkëtuar sa më shumë vota në zgjedhjet e radhës, sesa si rezultat i ndikimit malinj nga jashtë. Për më tepër, le të kujtojmë përvojën me përpjekjen e dështuar të VMRO-DPMNE-së që iu bashkëngjitën edhe opozitarët shqiptarë për rrëzimin e qeverisë aktuale, pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së Levicës, apo edhe hyrjen e Besës në koalicion me LSDM-në, në zgjedhjet e fundit parlamentare”, deklaroi Xhezairi për Indeks.mk
Duke folur për kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese nga Lëvizja BESA me zgjedhje të parakohshme parlamentare, Xhezairi thotë se koalicioni aktual qeveritar ka prioritet miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Ky koalicion qeverisës nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa ndryshimin e Kushtetutës, respektivisht pa përfshirjen e bullgarëve në të. Sa iu përket ‘koketimeve’, do duhet pritur edhe pak. Në fakt, mendoj se edhe VMRO-DPMNE-ja, edhe LSDM-ja nuk do të zyrtarizonin ndonjë koalicion parazgjedhor me “Levicën” për shkak se janë të vetëdijshëm se do të humbasin kredibilitetin karshi faktorit ndërkombëtar, nga njëra anë, por edhe për shkak se një krushqi e tillë politike me automatizëm do t’ua mbyllte derën forcave politike shqiptare”, nënvizoi Seladin Xhezairi nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC).
Ai potencon se më fillim të vitit të ardhshëm do të jemi dëshmitarë të rreshtimeve, në dy blloqe, etnikisht të përziera, të cilat do të luftojnë për ta bërë sa më të kapshëm ofertën për qytetarët, e sidomos në mesin e atyre të papërcaktuarve, vota e të cilëve ka për të qenë përcaktuese.