Xholev: Të kontrollohet nëse amnistitë e presidentit Ivanov janë të plotfuqishme

Të akuzuarit në rastin Titanik Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski tentojnë që ta shmangin procesin gjyqësor me anë të vendimit të Gjykatës supreme të Greqisë, e cila solli vendim për mos-ekstradimin e tyre. Avokati i Gordana Jankullovskës dhe Ilija Dimovskit në seancën e sotme, në fjalën hyrëse tha se amnistia e presidentit Gjorge Ivanov për ata nuk mund të tërhiqet dhe kërkoi që procedura kundër tyre të ndërpritet.

Marketing

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili është i akuzuari i parë për parregullsi zgjedhore, e fajësoi PPS-në se i monton këto raste kundër tij për shkak se, në kohën kur ai ishte kryetar i partisë, VMRO-DPMNE-ja ka pasur përparësi në të gjitha zgjedhjet. Mbrëmë, në një intervistë për TV Sitel, Gruevski pohoi se gjyqësori është në prangat e pushtetit, gjë që në kohën e qeverisjes së tij, nuk ka qenë ashtu. Ai shtoi se asnjëherë nuk ka komunikuar me gjykatës.

“Unë në fakt asnjëherë nuk kam komunikuar me gjykatës. Kjo është hera e parë që të kontaktoj me gjykatës. Unë nuk kam njohur gjykatës. Tani po i njoh gjykatësit. Kam dëgjuar emrat e disa prej gjykatësve nëpër mediume por personalisht nuk kam njohur asnjë gjykatës në jetën time”, tha Nikolla Gruevski, Ish kryeministër.

Gjykata do të vlerësojë nëse ka bazë ligjore pohimi i të akuzuarve se tashmë një herë i ka amnistuar presidenti i shtetit për këtë rast. Njeriu i parë i Gjykatës Penale Shkup, Ivan Xholev, i informoi gazetarët se gjykata tashmë ka qëndrim të vet në lidhje me këtë çështje që nga vlerësimi i akuzave dhe vendimi i Gjykatës së Apelit. Por, në qoftë se gjykata më e lartë sjell një vendim tjetër, atëherë ai vendim duhet të respektohet.

“Duhet të kontrollohet nëse presidenti ka pasur të drejtën që t’i amnistojë të dyshuarit e mundshëm dhe në cilin nen të ligjit është thirrur ai për lëndët e mundshme të PPS-së, dhe nëse këto vendime të Ivanovit janë të plotfuqishme. Gjatë vlerësimit të akuzës, ata u refuzuan. Andaj akuzat qëndruan, në të kundërtën, do të hidheshin poshtë”, tha Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Themelore Shkup 1.

Javën e kaluar, Gjykata supreme në Athinë e refuzoi kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë për ekstradimin e Grujevskit dhe Boshkovskit, duke shpjeguar se, siç thanë mediat greke, një herë është sjellë vendim për amnistinë e tyre dhe ky vendim nuk mund të tërhiqet. Ata të dy janë të akuzuar për rastin Fortesa – Target, për të cilin gjykatësja Xheneta Bektoviq në seancën e ardhshme pritet të vendosë nëse për ata të dy do ta ndajë në mënyrë të veçantë procedurën.

 

Marketing