Këngëtari i njohur Naim Bunjaku- Xuxi ka promovuar këngën e tij më të re “Hyjnesha e Prishtinës”.
E arsyeja pse ai ka zgjedhur pikërisht Albi Mall ishte se është përkrahëse e kulturës, artit e muzikës.
Ani pse publiku është mësuar që ai të këndojë rok-n-roll, kësaj radhe Xuxi kishte publikuar këngë në një zhanër tjetër.
Xuxi tregoi edhe arsyen pse ka titulluar këngën “Hyjnesha e Prishtinës”.
“Unë e kam pasur një këngë bashkë me Lindjen grupin rok-n-roll më 1997, një këngë që tifozët e Prishtinës e kanë pasur si himn të Prishtinës, por Hyjnesha e Prishtinës shkon më tutje se vetë Prishtina, është një simbol që tregon edhe lashtësinë tonë. Arsimi përmes tekstit ka dashur të tregojë ndërlidhjen mes Kosovës dhe mërgatës. Hyjnesha e Prishtinës nuk është vetëm e Prishtinës, por e gjithë shqiptarëve që e kemi simbol dhe tregon një peshë të madhe. Albi Mall përkrah kulturën, artin e muzikën dhe janë sponsorët e mi të kësaj kënge”, tha Xuxi.
Pas pjesëmarrjes në shoun e realitetit, Xuxi shprehet se kjo e ndihmoi që ai t’i rikthehet skenës muzikore për fansat e shumtë.
Ai ka paralajmëruar edhe këngë të tjera në muajt në vijim, si dhe bashkëpunime.
“Big Brother është dërrasa, e cila nuk kisha besuar që mund të të çojë kaq larg ose me ta jep edhe një mundësi tjetër, ndikon edhe mosha, ndryshe është për një 57- vjeçar. Vullneti që po më japin njerëzit, tregon edhe një herë që jam ende interesant. Kam këngë tjera që janë bërë gati”, u shpreh ai.
Përveç këngës me të re, Xuxi këndoi edhe disa nga hitet e tij të njohura. Naim Bunjaku-Xuxi veçohet me origjinalitetin e vet si nga vokali ashtu edhe nga stili i të kënduarit. Hapat e parë në botën e muzikës Xuxi i bëri qysh në fëmijëri dhe karrierën e nisi në vitet e tetëdhjeta.