Ylber Sela përmbyll punën katërvjeçare si drejtor i parë i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës

Para plot katër viteve, në konkursin e rregullt, sipas nenit 18 të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, u zgjodha drejtor i parë i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Gjatë këtyre viteve kishim një veprimtari të dendur të kësaj Agjencie. Këtë javë zhvilluam aktivitetet përmbyllëse të punës katërvjeçare gjatë mandatit të parë. Promovuam botimet e fundit, si dhe raportin përmbledhës të punës për këto vite.

Marketing

Nuk thonë kot se koha po ik shumë shpejt. Katër vite më parë, me shumë entuziazëm, pranova detyrën e udhëheqjes së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Si çdo fillim, edhe kjo punë nuk ishte e lehtë. Jo vetëm për mua si drejtor, por i tërë ekipi themelues dhe së bashku me bashkëpunëtorët e parë, u ballafaquam me vështirësi të ndryshme. Ne jemi munduar që të kultivojmë një bashkëpunim me akademitë, institutet, qendrat albanologjike dhe universitetet e shteteve tona. Kemi pasur nevojë për përkrahje, për këshillën e tyre shkencore, që në fazat e para të themelimit të Agjencisë, si dhe gjatë tërë veprimtarisë së saj ndër vite.

Agjencia, krahas përmbushjes së detyrave të përditshme, ka nxitur dhe mbështetur në vazhdimësi fushatën e ngritjes së vetëdijes publike për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Për këtë arsye ka zhvilluar pa reshtur, takime pune me çdo institucion shtetëror të vendit, për të ofruar ndihmën në procesin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhës. Organizuam trajnime, sivjet të tretin me radhë, për përkthyesit dhe redaktorët gjuhësorë të institucioneve shtetërore në vend. Mësimdhënës në këto trajnime, janë profesorë eminentë nga universitetet, institutet, qendrat albanologjike nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi, Korça, Prishtina, Prizreni, Shkupi, Tetova, pa kontributin e të cilëve, nuk do të kishte këtë sukses dhe cilësi, i gjithë procesi i trajnimeve.
Ndër vite botuam broshura informuese, udhëzime, doracakë, në tri gjuhë, për çështje të statusit të gjuhës, politikës gjuhësore, shumëgjuhësisë dhe sfida të zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhës. Me pjesëmarrje të studiuesve, profesorëve, albanologëve të shquar, nga të gjithë trevat shqiptare, organizuam për çdo vit, nga një konferencë ndërkombëtare, edhe me studiues të huaj, ku u trajtuan tema të ndryshme të shumëgjuhësisë dhe të politikës gjuhësore, në dobi të njohjes më të mirë të këtyre çështjeve dhe të përshpejtimit të zbatimit zyrtar të dygjuhësisë në vend. U botuan, si libra më vete, kumtesat e këtyre konferencave, në tri gjuhë, në version të shtypur dhe elektronik. Këto u shpërndanë falas për nëpunësit shtetërorë, administratën dhe bashkëpunëtorët tanë, pjesëmarrës direkt në këtë proces të zbatimit të ligjit.

Zhvilluam vizita pune dhe qëndrime studimore edhe jashtë vendit, në Itali, Tirolin e Jugut, në Austri, në Zvicër, për të mësuar më shumë për modelet e suksesshme të dy- dhe shumëgjuhësisë në shtetet demokratike të Europës Perëndimore. Mësojmë përherë prej tyre, kultivojmë bashkëpunimin me institucionet përkatëse të atyre vendeve, për të lehtësuar njohjen e këtyre çështjeve, dhe për të përshpejtuar procesin e zbatimit të ligjit në fjalë.
Zhvilluam anketime, intervista, tryeza shkencore, bëmë vetë kërkime dhe botuam studime për situatën dhe politikën gjuhësore, shumëgjuhësinë dhe çështje të tjera që ndërlidhen me këtë tematikë. Të gjithë këta botime, jemi munduar të jenë në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht, në version të shtypur dhe digjital, për të pasur qasje, çdo bashkëpunëtor i yni, dhe secili që ka interes dhe merret me këtë problematikë.

Aktivitetet e kësaj jave të fundit si drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, i përmbyllëm me organizimin e tryezës së rrumbullakët, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, me temat bosht: “Gjuha shqipe dhe sfidat aktuale të saj” dhe “Gjuha standarde shqipe dhe sfidat e përdorimit zyrtar të saj”.

Pjesëmarrës në këtë tryezë shkencore ishin udhëheqësit e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe emra të njohur nga kryeqendrat e albanologjisë, Tirana, Prishtina dhe Shkupi, pjesëmarrje kjo e vazhdueshme, që nga themelimi i Agjencisë. U lexuan kumtesa, si dhe u diskutua gjerë e gjatë për temën në fjalë, për sfidat e sotme të mbarë shqipes, me vështrim të veçantë u debatua, për statusin dhe sfidat e zbatimit zyrtar të shqipes në RMV.

Për në të ardhmen mbetet detyrë, jo vetëm e Agjencisë, por e çdo institucioni shtetëror, e secilit individi me vete, që të përkujdesen për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, për arritjen e barazisë gjuhësore në vend, për përshpejtim të përdorimit zyrtar të dygjuhësisë, si dhe për kultivimin e vlerave të shumëgjuhësisë.
Edhe njëherë dua të falënderoj të gjithë përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e Agjencisë për punën e palodhshme, me përkushtim të dalluar dhe kontributin që kanë dhënë ndër vite.

Falënderim të përzemërt vëllazëror kam pasur përgjithmonë për këshillat, ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të studiuesve, profesorëve, albanologëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, diaspora jonë, si dhe, kuptohet, nga vendi ynë.

Uroj që edhe në të ardhmen, të kemi një vazhdimësi të sigurt të punës së suksesshme të Agjencisë. Drejtorit të ardhshëm dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të Agjencisë ju uroj punë të mbarë dhe suksese të vazhdueshme.