Zaev dhe Angjushev paralajmëruan investim të ri në vlerë prej 25 milionë eurove

Kompania sllovene Tab mak do të investojë 25 milionë euro duke hapur 90 vende të reja të punës në Probishtip dhe rrethinë. Investimin e ri e paralajmëruan kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev nga Sllovenia, ku në suaza të vizitës zyrtare dyditëshe patën disa takime me kompani sllovene.

Marketing

“Në suaza të vizitës sonë në Slloveninë mike, patëm mundësi të shihemi me shumë biznesmenë, disa prej tyre tashmë janë të pranishëm në vendin tonë. Zotëri Lipnovik, drejtor i kompanisë Mak tab, e ndau lajmin e mirë me ne, se është sjellë vendim të bëjnë investim të ri për fabrikën për akumulatorë në Probishtip në vlerë të përgjithshme prej 25 milionë eurove. Për ne kjo është shumë me rëndësi.

Po konfirmohet se në vendin tonë ka klimë të volitshme investuese kur një kompani që filloi në mënyrë modeste para disa viteve tani sjellë vendim të madh për investim prej 25 milionë eurove që do të hapë 70 deri 90 vende të reja të punës. Konfirmohet se politikat tona të përgjithshme do të thonë hapje të perspektivave të Maqedonisë së Veriut për proceset integruese, por edhe të gjitha politikat ekonomike që i zhvillojmë në shtet”, tha kryeministri Zaev dhe shtoi se ky investim realizohet në brendësi të vendit, që është impuls plotësues për zhvillimin e barabartë rajonal dhe për mbajtjen e të rinjve në vendin tonë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, siç informojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp, theksoi se gjatë vizitës së punës në Slloveni, është realizuar takim pune me përfaqësues të 17 kompanive sllovene që kanë operacione në vend, të cilët i prezantuan planet e veta të ardhshme dhe me atë rast shprehën kënaqësi nga klima afariste në vendin tonë dhe gjendja aktuale politike.

Drejtori i Tab mak, Igor Lipovnik, theksoi se bëhet fjalë për kompani e cila funksionon me sukses prej vitit 1965, ndërsa në vitin 2012 e mori fabrikën “Zletovo”, që në atë moment kishte 168 të punësuar dhe gjithsej rreth pesë milionë të ardhura vjetore.

Ai theksoi se kanë vendosur për një hap të këtillë sepse në vendin tonë gjetën punëtorë të mirë dhe cilësorë, ndërsa potencoi se marrëdhëniet me pushtetin qendror dhe lokal janë në nivel të lartë.

“Deri më tani investuam rreth 19 milionë euro, ndërsa të ardhurat prej pesë milionë eurove u ngritën në 66 milionë euro në vit. Duke i njohur mundësitë që i ofrojnë masat nga Ligji për mbështetje financiare të investimeve, vendosëm të investojmë minimalisht 15 milionë euro, ndërkaq mund të konfirmojmë se do të jenë 25 milionë euro, me mbi 100 vende të reja të punës, me çka presim që të ardhurat vjetore t’i ngritim në mbi 100 milionë euro. Kjo do të thotë se prodhimi prej 1,2 milionë akumulatorëve, që instalohen në “volksvagen”, “citroen” dhe “renault”, tani do të ngritet në mbi tre milionë aukumulatorë të prodhuar”, theksoi Lipovnik.