Pesë qëllimet prioritare për zhvillim të qëndrueshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2018-2020 janë: pa varfëri, arsim cilësor, punë dinjitoze dhe rritje ekonomike, aksion klimatik dhe institucione të fuqishme për paqe dhe drejtësi, tha kryeministri Zoran Zaev duke folur në Forumin e nivelit më të lartë në Samitin për qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm, si pjesë e programit të sesionit të 74-t të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së.
Siç kumtojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp kryeministri theksoi se në periudhën në vijim, Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë intensivisht e përkushtuar në procesin për inkuadrim në BE, dhe duke pasur parasysh se Agjenda 2030 për qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm është në drejtim të njejtë, kjo paraqet mundësi të jashtëzakonshme që t’i shqyrtojmë dokumentet tona strategjike rrjedhëse, programe që të krijojmë politika publike të shëndosha për zbatimin e tyre efikas në të ardhmen dhe për realizim të qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm.
Se një pjesë e qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm tashmë implementohen në një pjesë të politikave të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zaev i ceki masat dhe reformat me të cilat drejtpërdrejtë kthehen paratë buxhetore të qytetarëve tanë, dhe me atë pakësohet pabarazia dhe u ndihmohet atyre që më së shumti u nevojitet ndihma financiare.
“Të pakësohet pabarazia dhe të mos lëmë asnjë pas nesh, është parimi kryesor i Qeverisë së RMV-së dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Zbatimi i suksesshëm i reformave sociale mundësoi madje 30.000 amvisëri apo rreth 120.000 qytetarë të marrin ndihmë sociale më të lartë se mesatarja për 300 për qind në krahasim me vitin 2016. Mbështetja për të rinjtë është një nga prioritetet tona si vend. Sigurimi i kushteve të volitshme për sendërtim, zhvillim dhe punësim të të rinjve janë të dukshme përmes Planit tonë operativ për punësim. Qeveria siguroi 17,9 milionë euro për këtë vit dhe kjo është shuma më e madhe deri më tani, tre herë më e madhe në krahasim me vitin 2014, e ndarë për masat për punësim të të rinjve”, informoi kryeministri Zaev në Forum.
Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i vetëm i cili nuk është anëtar i BE-së dhe vendosi garanca për të rinjtë, masë që është pjesë e politikave evropiane dhe ka për qëllim t’u sigurojë të rinjve në afat prej katër muajve nga data e regjistrimit në Agjencinë për punësim ofertë cilësore për punësim, arsim të vazhdueshëm dhe trajnim apo stazh.
Ai kumtoi edhe për masat për nxitje të zhvillimit dhe inovacionet për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme, në mënyrë që të krijohen vende më mirë të paguara.
“Ne si Qeveri besojmë se investimi në kompani për inovacione dhe kompani startap do t’i mbajë të rinjtë në vend dhe do ta zvogëlojë migrimin ekonomik. Me qëllim që ta demonstrojmë politikën tonë të qartë dhe gatishmërinë për t’i ndjekur idetë e të rinjve në zhvillimin e biznesit të tyre, së bashku me mbështetje të Bankës botërore e rritëm shtatë herë portofolin e Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik me shumë prej 39 milionë eurove”, theksoi kryeministri Zaev.
I ceki edhe masat që bëhen për t’u mbështetur vendet “e gjelbra” të punës dhe implementimi për efikasitet energjetik në ndërtesat dhe furnizimi me sasi të ulët të dioksidit të karbonit.
“Qeveria e përfundoi përgatitjen për inkuadrim në Fondin e gjelbër klimatik dhe do ta zhvillojë projektin për gazpërçuesin që do të aplikohet për mbështetje nga fondi. Kjo del edhe nga përgjegjësia jonë primare që ta sigurojmë kësaj radhe për realizim të qëllimeve tona për zhvillim të qëndrueshëm. Republika e Maqedonisë së veriut e konfirmon angazhimin e vet për zbatimin e Agjendës për vitin 2030, dhe në atë drejtim financat publike, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, ndihma donatore e koordinuar mirë, do të luajnë rol kyç në sigurimin e shërbimeve themelore dhe të mirave publike në mënyrë që ta mundësojnë implementimin e qëllimeve”, tha kryeministri Zaev.
Kryeministri përkujtoi se realizimi i qëllimeve globale për zhvillim të qëndrueshëm është vizion i përbashkët i botës dhe meritojnë ta përshpejtojmë zbatimin e tyre.
“Agjenda 2030 është premtimi ynë para fëmijëve tanë dhe të rinjve sot, se ata do ta arrijnë potencialin e tyre të plotë njerëzor dhe do ta sjellin flakadanin për zhvillim të qëndrueshëm për gjeneratën e ardhshme. Vendosmëria jonë është të shkojmë përpara sepse çdo kontribut inspiron shpresë”, theksoi kryeministri Zaev në fjalimin e tij në Forumin e nivelit më të lartë të Samitit për qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm, si pjesë e programit të sesionit të 74-t të Asamblesë së përgjithshme të KB-së.