Numri i deputetëve të cilët do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese do të dihet gjatë momentit të votimit. Kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke shtuar se kjo do të shihet që sot, gjatë votimit të amendamentit të parë në Kuvend.
Ai ka thënë se përgjegjësia është e deputetëve por se beson se do të gjejnë forca që të votojnë amendamentet dhe më pas të pasoj procesi i votimit në Kuvendin e Greqisë. Në rast dështimi, Zaev ka thënë se është i gatshëm të merr përsipër pjesën e tij të përgjegjësisë.
“Çdo njëri duhet të merr përgjegjësi për procesin. Nëse nuk ka shumicë, do të pasoj mbledhje e Këshillit Qendror ku do të merret përgjegjësia. Kemi vendosur gjithçka në këtë proces. Në politikë ekziston edhe përgjegjësia. Nuk kam paragjykime, ka ardhur momenti i përgjegjësisë. Ose do të ketë 80 ose do të ketë përgjegjësi”, tha Zaev.