Në seancën parlamentare për pyetje deputetësh, deputetët e opozitës i parashtruan pyetje direkte kryeministrit të Qeverisë, Zoran Zaev. Deputeti i VMRO-DPMNE Vladimir Gjorçev kërkoi nga kryeministri të jap përgjigje për punën e deritanishme, konkretisht se çfarë ka bërë për qytetarët shqiptarë, të cilët votuan LSDM-në në zgjedhjet e fundit të parakohshme, shkruan gazeta KOHA. Njëkohësisht, Gjorçevi kërkoi nga kryeministri t’i përgjigjet pyetjes se çfarë konkretisht ka bërë me ujësjellësin në Tetovë, rregullimin e deponisë së egër në Strugë, për problemet që ka Komuna e Haraçinës, edhe përkundër faktit se kryetare e kësaj komunë është nga partia e LSDM-së.
“Çfarë keni bërë për shqiptarët, të cilët votuan për ju. Ata shqiptarë që dhanë votën për ju janë të dëshpëruar, sepse ndjehen të tradhtuar nga ana e juaj”, ishte pyetja e Gjorçevit drejtuar kryeministrit. Përgjigja e Zaev ishte se, Qeveria e tij nuk punon në përzgjedhjen sipas etnive, “por sipas realizimit të projekteve për të gjithë qytetarët në Maqedoni dhe ndjesinë e të qenit të barabartë në këtë shtet dhe jo të ndarë, siç punoi për 11 vite radhazi qeveria e mëparshme”.
“Çfarë kam bërë unë si kryeministër i Qeverisë për shqiptarët e Maqedonisë. Punën e parë më të rëndësishme që kam bërë është barabarësia e të drejtave të shqiptarëve me maqedonasit. Dhe kjo dëshmon se për këtë Qeveri, edhe shqiptarët janë të barabartë dhe aspak nuk i ndajmë në maqedonas, shqiptarë, romë, serb, turq, vlleh apo boshnjakë. I shohim në bazë të parimit të së drejtës, për përfaqësim të drejtë në institucione, në intensitetin e punësimeve nëpër institucione shtetërore. Dhe sa për krahasim me 10 vitet e fundit, intensiteti i përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërorë është shumë më i madh”, u përgjigj Zaevi.
Edhe më tej si Qeveri, vijoi më tej Zaevi, do të udhëheqim politikë të atillë që shqiptarët e Maqedonisë të jenë qytetarët të barabartë në këtë shtet.
“Do të investojmë në projektet infrastrukturore, rrugë rajonale, magjistrale dhe lokale. Po punojmë që kapitali shtetëror të shpërndahet njëjtë në të gjithë territorin e Maqedonisë ku shumicë janë edhe shqiptarët. Po bëjmë brenda një viti që Qeveria juaj e mëparshme për 11 vite radhazi qeverisje nuk arriti të bëjë për shqiptarët e Maqedonisë që gjithmonë kanë qenë qytetar lojal të këtij shtetit dhe vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen”, tha kryeministri Zoran Zaev./koha.mk
Komentet