Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe anëtarët e delegacionit që e përbëjnë zëvendëskryeminsitrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe deputeti në Kuvendin nacional dhe anëtar i komisionit kuvendor për mbrojtje, Xhevat Ademi sot pasdite i filluan aktivitetet e Konferencës së sivjetme të Munihut për siguri.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, krahas pjesëmarrjes në disa ngjarje në kuadër të agjendës së konferencës, kryeministri Zaev dhe anëtarët e delegacionit do të realizojnë disa takime të përbashkëta dhe të veçanta bilaterale.
Një nga takimet e shumta bilaterale, ishte takimi i sotëm i kryeministrit Zaev me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Në takim, dy bashkëbiseduesit e konfirmuan linjën në rritje të zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes dy vendeve, me potenciale për zgjerim të relacioneve të mira, posaçërisht në lidhjet ekonomike.
Presidenti Gjukanoviq e uroi kryeministrin Zaev për statusin e vendit të ftuar anëtar të NATO-s dhe kumtoi se kuvendi malazez shumë shpejtë do ta ratifikojë Protokollin për inkuadrim të vendit tonë në NATO, pas çka Republika e Maqedonisë së veriut do të përfitohet me anëtarësimin e barabartë pasi që protokollin ta nënshkruajnë të gjitha vendet anëtare të Aleancës.
Kryeministri Zaev, shtohet, në takim e ka shprehur falënderimin e tij dhe të Qeverisë, si dhe të popullit të vendit tonë për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Malit të Zi ia ofron vendit tonë dhe shfaqi bindje se mbështetja e ndërsjellë dhe bashkëpunimi edhe më tutje do të përforcohet dhe përhapet në interes të qytetarëve të të dy vendeve.
Kryeministri Zaev dhe anëtarët e delegacionit, sonte do të jenë pjesë e mbrëmjes së përbashkët solemne në të cilën janë ftuar të gjithë shefat e shteteve dhe qeverive, si dhe anëtarë të kabineteve, që është edhe një mundësi për takime dhe marrëveshje të reja për nisma të ardhshme, qëndron në kumtesë.