Zaev-Merkel: Marrëveshja e Prespës, inkurajim për të gjitha vendet nga Ballkani Perëndimor

Maqedonia e Veriut dhe Marrëveshja e Prespës janë shembull pozitiv i Ballkanit dhe ai sukses është inkurajim për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, konstatuan bashkarisht kryeministri Zoran Zaev dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel në takimin e sotëm të mbajtur para fillimit të Konferencës për Ballkanin Perëndimor në Berlin.

Marketing

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, përfitimet nga Marrëveshja e Prespës për stabilitetin, bashkëpunimin dhe paqen në rajon ishin tema kryesore të diskutimit të takimit punues të mbajtur mu para fillimit të Konferencës, të kancelares Merkel me kryeministrin Zaev, i cili e kryeson delegacionin qeveritar, në të cilin janë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

“Kryeministri Zaev dhe kancelarja Merkel e cekën rëndësinë e përfitimeve ekonomike që i sjellë bashkëpunimi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe potencuan se bashkëpunimet e tilla duhet të intensifikohen në tërë rajonin”, ceket në kumtesë.

Kryeministri Zaev, shtohet, në takim theksoi se bashkëpunimi, miqësia dhe reformat që i zbaton vendi janë argumente serioze për vendim pozitiv nga ana e Bashkimit Evropian për fillim të negociatave gjatë verës, qëndron në kumtesë.