Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Kështu ka deklaruar i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, pas takimit në Shkup me kryeministrin, Zoran Zaev.
“Mesazhi jonë është se SHBA-ja është partnere dhe mike e Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të përkushtuar në këto raporte me Maqedoninë e Veriut dhe integrimin e saj në NATO dhe BE”, ka deklaruar diplomati amerikan në një prononcim për mediat.
Ai theksoi se gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, dhe takimeve me drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike, është riafirmuar përcaktimi i përgjithshëm se për vendin nuk ka alternativë tjerë përveç integrimit euroatlantik.
“Ne në vazhdimësi kemi deklaruar se Marrëveshja e Prespës është shumë e rëndësishme dhe se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin pasi ka rëndësi të madhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe se zbatimi i saj duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Palmer.
Marrëveshja e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, mbylli kontestin e më shumë se dy dekadave mes dy vendeve fqinje për çështjen e emrit me ç`rast shteti u emërua Maqedonia e Veriut.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin perëndimor tha se është takuar edhe me ambasadorët e shteteve të Evropës Juglindore me të cilët ka biseduar për zhvillimet e mëtejme në rajon, si dhe për vendimin e fundit në samitin evropian në Bruksel.
Vizita e diplomatit amerikan në Shkup bëhet disa ditë pasi Këshilli Evropian refuzoi të caktojë datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte shprehur zhgënjimin lidhur me këtë vendim të BE-së.