Kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov pritën në takim eurokomisarin për Zgjerim Oliver Varheji dhe ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Augusto Santosh Sillva.
Gjatë takimit, Varheji dhe Augusto Santosh Sillva kanë prezantuar zgjidhjet e propozuara për të zgjidhur problemin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, problem ky që ka bllokuar edhe fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
Zaev publikisht falënderoi eurokomisarin Varheji dhe ministrin e Jashtëm portugez Santosh Sillva për përkushtimin, profesionalizmin dhe vendosmërinë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut.
“Eurokomisari Oliver Varheji dhe ministri i Jashtëm portugez, sot sollën një projekt zgjidhjeje që synon tejkalimin e problemit mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Me këtë rast falënderoj të dy, ministrin Sillva dhe eurokomisarin Oliver Varhej për përkushtimin, profesionalizmin dhe vendosmërinë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë por dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor. Të gjithë së bashku për të vazhduar rrugën drejtë përparimit dhe prosperitetit. Së bashku me ekipin në Qeveri do ta shqyrtojmë me seriozitet dhe me përgjegjësi të gjitha detajet e zgjidhjes së propozuar”, tha mes tjerash kryeministri Zaev.
Tutje, shtoi se është e rëndësishme se propozimi është një bazë e mirë për arritjen e një zgjidhjeje që do të heqë të gjitha pengesat dhe do të hapë negociatat për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare.