Kryeministri Zoran Zaev, i cili ndodhet për vizitë në Gjermani, në intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter algemajne cajtung” thotë se BE-ja dhe shefat e shteteve evropiane dhanë premtim se nëse zgjidhet kontesti me Greqinë vendi do të përparojë në rrugën drejt BE-së.
“BE-ja mbetet nxitje e madhe për ne. Dëshirojmë të përmirësohemi, si shtet dhe si shoqëri. Por gjithashtu është e saktë se BE-ja, kancelarja Merkel dhe shumë shefa të tjerë të qeverive evropiane na dhanë premtim lidhur me zgjidhjen e kontestit me Greqinë dhe zbatimin e reformave të brendshme. Na u tha: Përmbushni ju, do të përmbushim edhe ne. Që prej vitit 2005, do të thotë tashmë 15 vite jemi kandidat për anëtarësim në BE. Kontesti i pazgjidhur me Greqinë tërë këto vize ishte pengesë e madhe. Në shkurt të vitit 2018 isha në Berlin, dhe porosia nga Angela Merkel ishte inkurajim i madh për të gjithë ne – Nëse e zgjidhni kontestin për emrin dhe i filloni reformat e rëndësishme, edhe Evropa do ta mbajë fjalën e vet. Kancelarja Merkel na vizitoi edhe në Ditën tonë të pavarësisë dhe e përsëriti këtë porosi”, thotë Zaev në intervistën që e transmeton Dojçe vele.
Mosçelja e negociatave me BE-në, konsideron ai, do ta përforcojë ndikimin e shteteve të treta. “Interesat ekonomike kineze në rajon janë të njohura. Rusia dukshëm është më aktive në Serbi, por tradicionalisht është e interesuar për Ballkanin – për ne, për Bullgarinë, Greqinë dhe Bosnjën. Evropa nuk guxon plotësisht ta përforcojë rishpërndarjen e ndikimit në rajon”, vlerëson Zaev.
Nëse nuk merret datë për negociata, sipas Zaevit, ekziston mundësi ta humbë shumicën në Parlament, ndërsa në pyetjen nëse kjo do të thotë se vendit i kanosen zgjedhje të reja, ai konfirmoi.
Mosmarrja e datës, sipas Zaev, nuk do të thotë edhe fund i përpjekjeve të vendit për t’u reformuar, por paralajmëron se do të humbet elani në atë rrugë.
“Nëse Evropa nuk e përmbushë premtimin e vet, ne megjithatë do ta sjellim Evropën në Maqedoninë e Veriut, me atë që do t’i zbatojmë reformat evropiane edhe pa proces të negociatave. Por pa procesin e negociatave, pa atraktivitetin e BE-së në horizont, motivimi për atë nuk do të jetë i njejtë”, thekson Zaev.
Në intervistë, Zaev thotë se nuk e shqetëson e ardhmja e Marrëveshjes së Prespës nëse në zgjedhjet në Greqi fiton Demokracia e Re, por shton se ekziston mundësia që qeveria e re greke ta bllokojë vendin gjatë negociatave me BE-në.
“Pjesë të marrëveshjes sonë akoma duhet të implementohen, siç është vendosja e pasaportave të reja dhe dokumenteve të tjera me emrin e ri, apo ndryshimi i librave mësimor të historisë. Kjo në çdo moment mund të çojë drejt komplikimeve në negociatat tona për anëtarësim”, thotë Zaev.