Vendimet politike në vend për atë nëse do të ketë rikonstruim të Qeverisë apo zgjedhje të parakohshme do të varen nga vendimi i Këshillit të Evropës dhe si vendet evropiane do t’i vendosin gjërat, si dhe nga porositë që do t’i marrim nga kancelarja gjermane, Angela Merkel në takimin e radhës, të enjten në Berlin, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp në Qeveri me kolegun e tij çek, Andrej Babish.
“Sot morëm inkurajim serioz nga vendi anëtar i cili është mjaft me ndikim në BE, posaçërisht në konstalacionet e reja në pjesën politike dhe pozicionin e grupit ALDE, por edhe nga Gjermania dhe porosia që do ta marrim nga kancelarja Angela Merkel dhe kumtimi i qartë për hapat e caktuar që do të vijnë, ashtu do t’i sjellim vendimet brenda. Nuk ka dilema se do të marrim datë për negociata, me rëndësi është kjo të jetë më herët. Me rëndësi është BE-ja ta dijë se ajo për ne është atraktive sepse çdoherë ka treguar maturi për t’i pranuar reformat brenda, por edhe ta mbajë procesin të hapur për tërheqjen e vendeve të reja kandidate për anëtarësim në BE dhe besoj se kjo do të ndodhë. Ky motivim nga BE-ja është me rëndësi për ne, në mënyrë që të vazhdojmë më tutje”, tha Zaev në pyetjen e gazetarëve nëse ka sjellë vendim për cilin nga tre opsionet e mundshme (rikonstruim të Qeverisë, zgjedhje të parakohshme parlamentare, kthim të mandatit) ka vendosur, ndërkaq të cilat ai më parë i paralajmëroi në rast se nuk marrim datë për negociata.
Ai tha se pas takimit të së enjtes, sipas të gjitha gjasave, fundjavën e ardhshme, do të pasojë mbledhja e këshillit qendror të LSDM, se janë vazhdimisht në koordinim me partnerët e koalicionit dhe varësisht nga vendimi i shumicës parlamentare dhe nëse ai do të mbahet, ashtu do t’i sjellin vendimet.
“Jemi transparentë deri në fund. besoj se muaji qershor do t’i rrumbullakësojë të gjitha këto vendime politike brenda sepse gjithçka që punojmë është për shkak të integrimeve në BE dhe në NATO, që na ndikon komplet pozitivisht në proceset ekonomike dhe reformat. Sot kemi porosi të shkëlqyeshme pozitive nga kryeministri Babish. Të enjten pres porosi pozitive nga kancelarja Merkel me agjenda dhe hollësi të sakta sepse të gjitha vendet nuk kanë kurfarë dileme as kurfarë argumenti kundër asaj që të marrim datë maqedonia e Veriut t’i fillojë bisedimet me BE-në. Kryeministri Babish do të na ndihmojë në Këshillin e Evropës, do ta hapë debatin, besoj se kryesimi rumun do të na vendosë në rend dite së bashku me kryetarin Tusk sepse çdo porosi pozitive është motivuese për ne që të vazhdojmë më tutje”, theksoi Zaev.
Për idenë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickovski të ofrojë grupe pune të cilat do ta ndihmonin Qeverinë në reformat lidhur me përmbushjen e kushteve për eurointegrimet deri në tetor, e vlerësoi si hipokrizi, sepse, siç tha, raporti tashmë është publikuar dhe nuk do të ketë raport të ri deri në tetor.
“Sa hipokrizi nga ana e tij, për arsye se nuk do të ketë raport të ri deri në tetor. çka të ndihmojë dhe për cilat reforma kur raporti ka përfunduar. Tani vendosë Këshilli i Evropës, KE-ja solli rekomandim të pastër të kristaltë për vendin tonë. Në të është sendërtuar edhe opozita me të cilën së bashku votuam me konsensus në Parlament për shumë vendime ligjore, besoj së bashku do të vazhdojmë edhe për implementimin e tyre. Por megjithatë është e mirëseardhur çdo ndihmë. Neve na nevojiten të gjitha kapacitetet të cilat duhet t’i shfrytëzojmë në mënyrë që të mund të vazhdojmë më tutje për t’i përmirësuar kushtet për jetë në vendin tonë dhe ta ngritim kapacitetin demokratik të institucioneve”, tha Zaev.