Zaev: Rroga mesatare 500 euro deri në fund të 2019-s

Ekonomia ishte tema qendrore e duelit të parë mes liderëve të LSDM-së dhe VMRO-së, Zoran Zaev dhe Hristian Mickovski.

Marketing

Në rreth 1 orë e gjysmë, ata përplasën qëndrimet e tyre pikërisht për problemet ekonomike.

Kryeministri tha se me masat e ndërmarra nga ekzekutivi që drejton, është hapur spiralja për rritje të rrogave dhe deri në fund të vitit 2019 në Maqedoni do të ketë rrogë mesatare prej 500 eurove.

Por, Mickovski akuzoi Zaevin se po i gënjen qytetarët, pasi sipas të dhënave statistikore, është e pamundur të ketë rritje të pagave as deri në fund të mandatit të kësaj qeverie.

“Me pagën minimale prej 12.000 denarë, patën benefite rreth 90.000 qytetarë. Në industrinë e tekstilit rrogat janë rritur për 24%, në industrinë e lëkurës janë rritur për 16%. Tani presim që me masën për mbështetje të pagave prej 18.000 denarë të ketë rritje të rrogave të përgjithshme. Por, rritje më serioze e rrogave do të ketë nëse ka investime në shtet. Investimet ndodhin për shkak të atmosferës së mirë në shtet, politikave të mira të qeverisë dhe veç më rezultatet në Maqedoni po shihen. E gjithë kjo besoj që do të shënojë targetin tonë prej 30.000 denarë deri në vitin 2019”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

“Që ju zoti Zaev të keni pagë minimale prej 500 eurosh, madje deri në fund të mandatit tuaj do të duhet të ketë rritje nominale të rrogave të punëtorëve për 11% në vit. Ju në treguesit tuaj makroekonomik keni njoftuar se vitin 2018 do ta përfundoni me rritje ekonomike të pagave prej 4%, apo real prej 2.3%, pasi nëse merret inflacioni prej 1.7%, atëherë vijmë deri në rritjen prej 2.3%, e shihni se sa larg 11% jeni? Është e ndershme të thoni: njerëz, kemi gabuar, ju kemi gënjyer”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Debati u fokusua edhe në realizimin e investimeve kapitale. Kreu opozitës Mickovski theksoi se mungesa e projekteve kapitale ka bërë që Maqedonia të shënojë rritje ekonomike prej 0%.

Por, Zaev tha se përkundër faktit që nuk kishte projekte kur ata erdhën në pushtet, patën sukses që të fillojnë realizimin e projekteve të reja, si dhe të rifillojnë projektet e ndërprera nga ana e VMRO-DPMNE-së.

“Nëse iu referohemi të dhënave të “Eurostatit”, shohim se Maqedonia deri në vitin 2016 ka qenë në top 3 vendet me rritje më të madhe ekonomike. Tani e dini ku jemi? Tani jemi të fundit në listë”,- tha Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE.

“800 kilometra rrugë kanë filluar të ndërtohen në Maqedoni, 218 milionë euro kemi alocuar këtu. Faza e parë e hekurudhës, e cila ishte tekstualisht e ndërprerë, është humbur 1 vit e gjysmë, jo vetëm që e restartuam, por tani fillon edhe faza e dytë me vlerë të përgjithshme prej 140 milionë eurove. Fazën e tretë do ta fillojmë me vlerë të përgjithshme prej 35 milionë euro dhe 60 milionë euro grand nga BE. Gazifikimi, i cili për fat të keq vitet e fundit VMRO-DPMNE e filloi, vazhdojmë ta bëjmë. Këto janë investimet kapitale më të mëdha në shtet”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Sa i përket investimeve të huaja, Zaev tha se pa harxhuar miliona euro për reklama, vetëm për një vit në Maqedoni janë nënshkruar marrëveshje me investitorë, aq sa janë nënshkruar për 11 vjet.

Mickovski nga ana tjetër theksoi se në vitin 2017 ka pasur 90 milionë euro më pak investime për dallim nga viti 2016.

Marketing