Lideri i LSDM-së Zoran Zaev vlerëson se të gjitha procedurat akoma nuk janë të përfunduara rreth shpalljes së Malit Sharr për park kombëtar. Sipas tij akoma nuk dihet se me shpalljen a do të ketë probleme nga ana tjetër.
“Ekzistojnë procedura në përputhje me standardet ndërkombëtare për përcaktimin e parqeve kombëtare, ne dëshirojmë t’i përmbushim ato, kur nisemi nga shtytja për diçka të mirë si një park kombëtar, duhet të dimë se çfarë të drejtash po mohojmë. Siç është e drejta e kullotjes së bagëtive, siç është e drejta e përdorimit të burimeve natyrore. Në fund me një konsensus për ta marrë vendimin, këto janë gjëra të bukura, sa më shumë që e promovojmë dhe mbrojmë ashtu të kemi edhe kujdes nga pasojat. Le të shohim nëse kjo do të thotë mundësi për zhvillimin e Kodrës së Diellit, nëse kufizohet diçka, cilat janë perspektivat, dhe më në fund do të ketë një vendim”, tha Zaev.
Në pyetjen e gazetarëve se pse lejohet ndërtimi i hidrocentralit, Zaevi u përgjigj se qeveria duhet t’i trajtojë të gjitha palët e interesuara në mënyrë të barabartë.
“Duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve, qoftë për rërën, për minierat, për hidrocentralet. Bota me siguri po ndërton hidrocentrale ku njerëzit janë të kënaqur, ku nuk ka probleme dhe nuk shqetësohet flora dhe fauna. Nuk do të ishim qeveri përgjegjëse nëse duke plotësuar të drejtën e një grupi, dëmtojmë të drejtat e tjetrit. Shteti duhet të jetë nënë e të gjithëve, e jo njerkë”, tha Zaev.
Në takimin me pensionistët në Tetovë, Zaev rikujtoi se premtimi për pensione më të mëdha po përmbushet.
“Nga e hëna do të paguhen pensionet e rritura me mbi 700 denarë, kjo do të bëhet bazë menjëherë dhe këtë vit presim të arrijë deri në 900 denarë, e cila në 2.5 vitet e fundit të bëjmë një mesatare është një rritje prej 1.734 denarë. Qëllimi përfundimtar është të zvogëlohet nevoja për ndërhyrje në buxhetin e shtetit, me çka edhe neve të rinjve do të na sigurojë një të ardhme më të sigurt, të presim pension me një fond të sigurt, jo vetëm një pension të qëndrueshëm për pensionistët aktual”, tha Zaev.
Ai theksoi se të gjitha politikat ekonomike dhanë rezultate për shkak të konsultimeve me përfituesit, gjegjësisht qytetarët.