Viti 2019 do të jetë viti i ekonomisë, siç ishte viti 2018-të, vit i integrimeve. Kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke komentuar propozim buxhetin e ri të ministrisë së financave para Odës Ekonomike dhe biznesmenëve.
Zaev ka thënë se vitin e ardhshëm nuk do të ketë zgjedhje të reja parlamentare, ngase dihet se ato ndikojnë negativisht në zhvillimin e ekonomisë. Kryeministri Zaev, ka paralajmëruar se nga Gjermania do të vijnë dy këshilltarë për ekonomi, dhe se kjo është dakorduar në takimin që ka pasur me kancelaren Angela Merkel.
“Presim rritje të madhe ekonomike, edhe pse 3.2 për qind është projektuar në buxhetin e viti 2019, kemi arsye reale të presim që rritja do të jetë më shumë se 4 për qind, nëse së bashku punojmë, nëse i realizojmë të gjitha projeksionet që i presim për shkak se kjo është e mundshme.
Rajoni jonë vetëm se ka arritur parametra të tilla, duhet edhe Maqedonia t’ia arrij parametrat e tilla. Me rritje prej 4 për qind atëherë edhe qytetarët në mënyrë direkte do t’i ndjejë përfitimet dhe beneficionet nga ekonomia”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, po ashtu shprehi bindje se viti 2019 do të shpallet si viti i ekonomisë.
“Ne dëshirojmë të marrim pjesë në aktivitetet e qeverisë së Maqedonisë që viti i ardhshëm të shpallet si viti i ekonomisë. Më në fund çështjet tjera të mbeten pas neve. E dyta, më së miri është që të mos ketë zgjedhje parlamentare që do t’i ndalonte proceset tek ne.
E treta që vije deri tek rritja ekonomike, por unë e përkrah kryeministrin se do të gjejmë mënyra dhe mjete që të arrijmë deri tek mesatarja e zhvillimeve në rajon”, tha Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.
Në buxhetin për vitin e ardhshëm janë ndarë 1.1 miliardë denarë për masat aktive të punësimit që është për 10 për qind më shumë krahasuar me buxhetin e këtij viti, dhe dy herë më shumë se sa vitin e kaluar.
Realizimi i këtyre masave sipas ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, do të krijoj kushte për funksionim më të mirë të tregut dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas projeksioneve për vitin e ardhshëm pritet ulje të papunësisë në rreth 20 për qind.