Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se zgjedhjet në vendin fqinj, të caktuara të mbahen në 12 prill, mund të shtyhen.
Kuvendi mund të mos shpërbëhet në mesin e shkurtit në rast se nuk miraton paraprakisht ligjet që janë në dobi të qytetarëve, është shprehur ai.
“Ligjet thelbësore, mosmiratimi i të cilave pengon pensionet, sigurimet shoqërore, rritjen e pagave, gjithë atë që nënkupton jetë për qytetarët, atëherë zgjedhjet edhe mund të shtyhen. Nuk e them këtë sot si kërcënim, sepse përgjegjësia e çdo deputeti pavarësisht nga pushteti apo opozita është përgjegjësi edhe e Qeverisë, pushtetit lokal dhe gjithë të tjerëve që e marrin rrogën nga qytetarët. Unë nuk e dëshiroj shtyrjen e zgjedhjeve, e kam përsëritur pafund se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen por njëkohësisht detyrimi i parë janë qytetarët. Detyrimi i dytë, edhe politik është që të mos lejojmë të frenohet interesi i qytetarëve, kjo është më e rëndësishmja”, është shprehur Zaev.
Në vend sakaq është vendosur që diskutimi publik për ndryshimin e Kodit zgjedhor të organizohet jashtë institucionit ligjvënës. Propozimi për një njësi zgjedhore kundërshtohet nga dy partitë më të mëdha parlamentare BDI dhe VMRO me 6 mijë amendamente. Ndërkohë kryeparlamentari Xhaferi kishte deklaruar se nuk ka bazë në Rregullore për organizimin e diskutimit publik në Kuvend, për ligjet me procedurë të shkurtuar.