Kryeministri Zoran Zaev është drejtuar kah partitë opozitare shqiptare Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët për të siguruar votat e tyre për të votuar ndryshimet kushtetuese. Dy partitë shqiptare kanë shprehur dilemma rreth votimit ose jo që pritet të ndodhë më 10 janar, duke i dhënë fund ose jo Marrëveshjes së Prespës, e cila përcakton emrin e ri Maqedonia e Veriut.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari deklaroi se partia e tyre ka dilema shumë të mëdha, nëse do të votojnë “për” ose “kundër” në fazën e tretë të ndryshimeve kushtetuese.
“Kemi sinqerisht dilema të mëdha se si do të votojmë në lidhje me ndryshimet kushtetuese, këtu punohet për dy çështje të cilat janë njësoj të rëndësishme për shqiptarët – edhe inkuadrimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, por mos i harrojmë se shumë i rëndësishëm për ne është edhe statusi i shqiptarëve, andaj kemi dilema shumë shumë të mëdha, të cilat do t’i vendosin organet partiake”, tha Taravari.
Ai rikonfirmoi se Aleanca për shqiptarët do t’i përsëritë amendamentet, të cilat nuk janë pranuar nga pushteti.
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami thotë se partia e tyre mbetet me shpresë se në fund qeveria do ta kuptojë se kërkesat e tyre, që janë garanca e një ardhmërie të sigurtë të shtetit dhe jo përfitim politik ditor. “Kemi propozuar ndryshim në preambule ku Maqedonia veriore të definohet si shtet i barabartë i maqedonasve dhe shqiptarëve si dhe I bashkësive tjera etnike, poashtu kemi propozuar amandament i cili zgjedh problem e precizimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në teritorin e gjithë shtetit si dhe amandamenti propozim që të korigjohet amandamenti për sa i përket diasporës duke e obliguar shtetit që të kujdese për gjithë qytetarët e saj që janë shtetas por jetojnë dhe veprojnë jashtë, pa dallime etnike.”, theksoi Kasami. I pyetur se cka nëse nuk përfshihen kërkesat e tyre Kasami është përgjigjur: Ne jemi të bindur se kjo që po bëjmë është rruga e drejtë dhe e vetme për artikulimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk duam të paragjykojmë se këto propozime tona nuk do pranohen por shpresojmë se logjika do mbizotrojë në fund dhe qeveria do reflektoj rreth këtyre propozimeve reale”. Deri tani nuk dihet nëse janë siguruar 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese.