Askush nuk i parandalon fqinjët tanë të vetëvendosin, por kjo nuk mund të bëhet në bazë të gënjeshtrave historike, deklaroi ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva.
“Ajo vetëvendosje, atë komb që e krijojnë prej vitit 1944, nuk duhet të bazohet në gënjeshtra dhe fushatë antibullgare, por në të vërtetë. Baza e marrëveshjes sonë është historia e përbashkët. Askush nuk e konteston të drejtën e Maqedonisë të ketë shtet dhe si të vetëvendosë. E drejta e vetëvendosjes është e drejtë njerëzore”, theksoi Zaharieva për Nova TV bullgare.
Shefja e diplomacisë bullgare theksoi se në të gjitha dokumentet, përfshirë edhe atp ë BE-së për fillim të negociatave për anëtarësim me vendin, përmendet edhe Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë që Maqedonia e Veriut dhe Bullgari e arritën në gusht të vitit 2017.
Zaharieva konsideron se Komisioni i përbashkët maqedon-bullgar për çështje historike duhet të vazhdojë me punën e vet.
Kohë më parë eurodeputeti Andrej Kovaçev kërcënoi se Bullgaria mund të vendosë veto në fillim të negociatave të vendit me BE-në, nëse Komisioni i përbashkët historik nuk fillon me punë deri në qershor.
Zaharieva javën e kaluar refuzoi ta komentojë qëndrimin e këtillë të Kovaçevit, por potencoi se insiston që Komisioni të vazhdojë me punë, duke shtuar se gjatë procesit të negociatave të një vendi për anëtarësim në BE, nevojitet pëlqimi i secilit shtet anëtar të Unionit për hapje dhe mbyllje të kapitujve dhe për tërë procesin negociues.
Ministrja bullgare me atë rast shtoi se Bullgaria me vite është një ndër mbështetësit më seriozë të Maqedonisë së Veriut, por se insiston në përmbushje të dispozitave nga Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.