Me publikimin e Ligjit të gjuhëve në Gazetën Zyrtare, gjuha shqipe prej sot nis zbatimin në praktikë, deklaron për TVM2 zëvendëskryeministri, Bujar Osmani. Në ekzekutiv ministrat mund të flasin shqip, gjithashtu edhe qytetarët mund të drejtohen për dokumente në gjuhën shqipe, thotë Osmani. Por, sipas Osmanit, zbatimi i plotë i gjuhës shqipe do të jetë një sfidë e madhe, pasi kërkon përfshirjen e të gjitha institucioneve në krye me Agjencinë për zbatimin e gjuhëve dhe Inspektoratit, angazhim të kuadrit përkthyes, por do të pritet edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga Greqia.
“Tabelat e institucioneve, qeverisë dhe parlamentit duhet të jenë në dy gjuhë, mirëpo tash është një çështje praktike: a duhet të presim të ratifikohet marrëveshja me Greqinë për shkak se duhet të ndryshohet edhe emri i vendit dhe mos të dyfishohen pastaj tabelat, njëherë për gjuhën, njëherë për emrin. Do të ketë nevojë tani të punësohen edhe përkthyesit. Ne një plan preliminar do ta bëjmë që nga sot dhe do të fillojmë me angazhimin e resurseve dhe logjistikës së nevojshme, pasi që nuk do të duhet vetëm njerëz, por edhe pajisje teknike”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Osmani nuk konfirmon shumën e financave që do t’i dedikohen zbatimit praktik të gjuhës shqipe edhe përkundër deklarimeve se dygjuhësia mund ta kushtojë shtetin 1.7 milion euro.
“Ligji duhet të respektohet, duhet të implementohet sado që të kushtojë, qeveria dhe shteti është i obliguar që të sigurojë ato mjete financiare. Është e drejtë fondamentale e imja që të përdor gjuhën time dhe shteti duhet t’i garantojë mundësitë që të përdorë gjuhën time për përdorim zyrtar. Do të ketë shpenzime në vazhdimësi, mirëpo sa do të jenë ato, tash nuk mund t’i vlerësojmë aq shpejtë”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Për mosrespektimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe parashikohen edhe sanksione me qindra dhe mijëra euro për institucionin dhe personat fizikë që janë bartës të institucioneve. Sanksionet kanë të bëjnë për mosrespektim të dispozitave ligjore apo edhe për mosrespektim të gjuhës standarde shqipe.